Shqipëria Postuar më 24 Maj 2022, 13:16

Gatishmëri shëndetësore për ndeshjen - Manastirliu: Plan i detajuar masash, në terren do jenë 16 autoambulanca

Nga SCAN TV

Gatishmëri e përforcuar e autoambulancave, spitaleve dhe ekipeve mjekësore”. Ky është plani i masave, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e çdo emergjence shëndetësore, gjatë ndeshjes finale të UEFA Conference League që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë, mes ekipit Italian të Romës dhe ekipit holandez të Feynord.

“Masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse, janë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat janë në qarkullim. Pra emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar.

Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium, janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium. Janë gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore”.

Përveç autoambulancave të Urgjencës Kombëtare, Manastirliu bëri me dije se edhe tre spitalet universitare në Tiranë do të jenë në gatishmëri të shtuar me shtretër të dedikuara për rastet emergjente që mund të paraqiten.

“E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati. Qoftë spitali i Traumës që tashmë ka vënë një pavion me kapacitete të dedikuara, për të patur lehtësinë që të gjitha rastet që do të ketë, pra të transportuar nga Urgjenca Kombëtare, të kenë edhe një pavion të dedikuar.

Po ashtu QSUT me pavionin e toksologjisë edhe me shërbime të tjera, të dedikuara për të ofruar shërbim, si dhe spitali “Shefqet Ndroqi”, ku dhe aty kemi pavione të dedikuara. Por mbi të gjitha ekipet janë në gatishmëri dhe janë përforcuar, duke u dyfishuar”.

Për natën finale janë përcaktuar edhe zonat ku do të grumbullohen tifozat e ndryshëm, për të cilat Manastirliu deklaroi se do të ketë autoambulanca për të qenë në gatishmëri në çdo moment, ndërkohë që në total, në Tiranë do të jenë 16 autoambulanca në gatishmëri.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat