Europa Postuar më 16 Shtator 2023, 10:10

Europa, e “etur” për gaz me çmim të lirë - Lufta energjetike konsiderohet e përfunduar

Nga SCAN TV
Europa, e “etur” për gaz me çmim të lirë -

Një nga pyetjet më të shpeshta që bëhej në Europë menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës ishte se si ajo mund të bëhej e pavarur nga importet e gazit natyror, me të cilin mbulonte një pjesë të madhe të nevojave të saj për energji. Më në fund arriti të shmangë skenarët e rasteve më të këqija që priteshin për dimrin e kaluar, por sektori i energjisë në Europë është ende jashtëzakonisht i cënueshëm.

Lufta energjetike e nisur vitin e kaluar nga presidenti rus Vladimir Putin kundër Europës përfundoi falë një kombinimi të fatit, organizimit dhe mbështetjes për Ukrainën. Dimri i vitit të kaluar ishte mjaft i butë, ndërkohë që qeveritë dhe qytetarët bënë një përpjekje të ndërgjegjshme për të ulur konsumin e gazit natyror.

Ndërkohë, Europa ka ulur ndjeshëm importet e energjisë nga Rusia. Në vitin 2021, 45% e të gjitha importeve të gazit në BE erdhi nga Rusia, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti kjo shifër ishte 17.4%. Gjithashtu, autoritetet shfrytëzuan temperaturat e mira për të mbushur rezervat e energjisë në prag të dimrit të ardhshëm. Në të vërtetë, depozitimi i gazit natyror është tashmë aq i mbushur sa që disa vlerësojnë se Putini nuk do të jetë në gjendje të shfrytëzojë energjinë ruse këtë vit. Përveç kësaj, Europa gjithashtu ka arritur të diversifikojë burimet e saj të energjisë.

Megjithëse këto zhvillime kanë qenë mbresëlënëse, shumë janë të shqetësuar për faktin se Europa nuk është e sigurtë në planin afatgjatë në fushën e energjisë. Pika më shqetësuese është se pavarësisht burimeve të larmishme të gazit natyror, një pjesë e madhe e importeve është në gaz natyror të lëngshëm, origjina e të cilit është e vështirë të gjurmohet. Kjo në mënyrë indirekte do të thotë se një pjesë e LNG-së mund të vijë nga Rusia dhe kështu të rrisë të ardhurat e Moskës.

Pika e dytë dhe ndoshta më e rëndësishme ka të bëjë me hapat e ardhshëm të Europës. Edhe pse ka reduktuar varësinë e saj nga Rusia, ajo ende mbështetet tek vendet e treta për importin e energjisë. Për sa i përket sigurisë së energjisë, varësi të tilla luajnë një rol vendimtar dhe mund të përbëjnë rrezik.

Europa mbështetet në Marrëveshjen e Gjelbër për t'u bërë përgjithësisht e pavarur nga importet e energjisë. Plani ambicioz i gjelbër synon ta bëjë Europën kontinentin e parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Me parashikimet aktuale do të kushtojë më shumë se 1 trilion euro.

Objektivi i parë i madh sipas Marrëveshjes së Gjelbër është ulja e emetimeve të gazeve serë me 55% – në krahasim me nivelet e vitit 1990 – para vitit 2030. Një numër në rritje analistësh shqetësohen se për shkak të progresit të ngadaltë dhe kostove të mëdha, disa qeveri do t'i drejtohen Kinës për ndihmë në përpjekjet për tranzicionin e energjisë. Në çdo rast, në vitin e fundit Kontinenti i Vjetër ka bërë hapa të mëdhenj në pavarësinë energjetike nga Rusia, pasi më parë konsiderohej e pamundur. Megjithatë, nevojiten sasi të mëdha energjie për të mbajtur të njëjtin stil jetese.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat