Analiza Postuar më 29 Maj 2026, 09:52

Turizmi dhe ndërtimi, “motorët” e kreditimit/ Tregtia mbetet sektori më i financuar nga bankat, pavarësisht rënies

Nga Xhorxhina Deda

Turizmi dhe ndërtimi, “motorët” e kreditimit/ Tregtia

Kredia e re për biznesin ka vijuar rritjen me ritme të forta edhe në muajin prill 2026, e mbështetur kryesisht nga sektori i turizmit, industria përpunuese dhe aktivitetet e lidhura me pasuritë e paluajtshme.

Peshën më të madhe në huamarrjen e re e ka mbajtur sërish tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve, me 7.09 miliardë lekë kredi të reja në prill. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, financimi për këtë sektor ka rënë me 18.6%, duke treguar se rritja e përgjithshme e kredisë është mbështetur nga degë të tjera të ekonomisë.

Rritjen më të fortë mes sektorëve kryesorë e ka shënuar akomodimi dhe shërbimi ushqimor. Kreditë e reja për këtë aktivitet arritën në 2.82 miliardë lekë, nga 1.05 miliardë lekë në prill 2025, ose rreth 169% më shumë. Të dhënat tregojnë se sektori i turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të kërkesës për financim.

Zgjerim të ndjeshëm ka regjistruar edhe industria përpunuese, ku huaja e re arriti në 5.15 miliardë lekë, duke u rritur me 103.1% në terma vjetorë. Po ashtu, aktivitetet e pasurive të paluajtshme shënuan një rritje prej 970.5%, duke arritur në 1.82 miliardë lekë, ndërsa sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit u zgjerua me 112.2%, në 1.26 miliardë lekë.

Ecuri pozitive kanë shfaqur gjithashtu aktivitetet e tjera të shërbimit, me rritje 147.7%, transporti dhe magazinimi me 40.7%, si dhe shëndetësia me 60% më shumë kredi të reja krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

Në kahun tjetër, disa sektorë kanë regjistruar tkurrje të financimit. Ndërtimi, një nga degët kryesore të ekonomisë, mori 3.42 miliardë lekë kredi të reja, ose 22% më pak se një vit më parë. Rënie janë shënuar edhe në informacionin dhe komunikacionin (-71%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-33.4%), shërbimet administrative dhe mbështetëse (-20.2%), si dhe në sektorin e arteve, argëtimit dhe çlodhjes (-54.2%).

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat