Analiza Postuar më 5 Janar 2026, 10:33

Sektori i pasurive të paluajtshme arrin “kulmin”/ Tërheq 5 herë më shumë financim nga bankat në Nëntor 2025 se një vit më parë

Nga Xhorxhina Deda

Sektori i pasurive të paluajtshme arrin “kulmin”/ Tërheq 5

Sektori i pasurive të paluajtshme po shënon nivele historike financimi nga sistemi bankar. Të dhënat më të fundit të publikuara nga “Banka e Shqipërisë” tregojnë se huatë e reja për korporatat jofinanciare private arritën në 23.3 miliardë lekë në Nëntor 2025, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.

Krahasuar me Nëntorin e vitit 2024, kur kredia e re ishte 15.2 miliardë lekë, rritja rezulton e ndjeshme, ndërsa në raport me Tetorin 2025, vlera është rritur me rreth 17%.

Një rol kyç në këtë zgjerim ka luajtur sektori i pasurive të paluajtshme. Huatë e reja për këtë sektor arritën në 2.83 miliardë lekë në Nëntor 2025, nga vetëm 487.6 milionë lekë një vit më pare, më shumë se pesëfishim në baza vjetore. Ky është niveli më i lartë i regjistruar historikisht për kreditimin mujor të këtij sektori.

Analiza e muajit Nëntor për periudhën 2016-2025 tregon se, ndërkohë që huatë totale për korporatat jofinanciare private kanë pësuar luhatje, sektori i pasurive të paluajtshme ka treguar rritje të konsiderueshme në vitet e fundit, duke reflektuar një fokus më të madh drejt investimeve afatgjata.

Edhe nëse analizojmë kredinë e re për këtë sektor për secilin muaj në dhjetë vitet e fundit shohim se muaji Nëntor i vitit të kaluar prek vlerën e dytë më të lartë.

Flukset e huave tregojnë se bankat dhe institucionet financiare janë të gatshme të mbështesin kompanitë e këtij sektori duke ofruar kredi. Ky zhvillim tregon jo vetëm akses të mirë në kapital, por edhe nevojën për menaxhim të kujdesshëm financiar për të shmangur rreziqet e mundshme.

Megjithatë, nga ana tjeter, rritja e fortë e kreditimit dhe intensifikimi i ndërtimit në vend ngrenë pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë e këtij modeli. Pavarësisht fluksit të lartë të investimeve, fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e kufizuar, ndërsa çmimet e banesave vazhdojnë të jenë të papërballueshme për një pjesë të madhe të popullsisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat