Analiza Postuar më 17 Shkurt 2026, 12:43

Mineralet dhe fasoneria, “kundër” eksporteve/ Tregtia e jashtme e nisi vitin 2026 me rënie edhe për importet

Nga Xhorxhina Deda

Mineralet dhe fasoneria, “kundër” eksporteve/ Tregtia e jashtme

Tregtia e jashtme e ka nisur vitin 2026 me rënie tregojnë të dhënat më të fudnit nga INSTAT. Sipas publikimit, në janar eksportet e mallrave arritën vlerën 26.7 miliardë lekë, duke u ulur me 4.5% në krahasim me janarin 2025 dhe me 0.3% krahasuar me dhjetorin 2025. Në të njëjtën periudhë, importet arritën në 57.9 miliardë lekë, me rënie 4.0% në bazë vjetore dhe 27.5% në krahasim me muajin paraardhës. Si rezultat, deficiti tregtar i muajit janar u regjistrua në 31.1 miliardë lekë, 3.6% më i ulët se një vit më parë dhe 41.3% më i ulët se në dhjetor 2025.

Në rënien vjetore të eksporteve ndikimin kryesor negativ e dhanë grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.4 pikë përqindje. Në të kundërt, grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kontribuoi pozitivisht me 1.4 pikë përqindje, ndërsa “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 0.1 pikë përqindje.

Edhe në importet e mallrave u regjistruan kontribute negative nga disa grupe kryesore. Rënia prej 4.0% u ndikua sidomos nga “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 2.0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 1.5 pikë përqindje. Ndërkohë, grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” pati ndikim pozitiv me 2.1 pikë përqindje.

Sa i përket partnerëve tregtarë, në janar 2026 rënia më e madhe e eksporteve u shënua drejt Italisë me 3.6% dhe Kosovës me 2.0%, ndërsa rritje të ndjeshme pati drejt Gjermanisë me 30.2% dhe Greqisë me 31.8%. Nga ana e importeve, ulja më e madhe u regjistrua nga Italia me 10.3% dhe Greqia me 3.3%, ndërsa rritje u shënua nga Kina me 1.8% dhe Turqia me 13.5%.

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 55.4% të tregtisë totale. Eksportet drejt vendeve të BE-së përbëjnë 74.1% të eksporteve gjithsej, ndërsa importet nga këto vende zënë 46.8% të importeve totale, duke konfirmuar peshën dominuese të tregut evropian në tregtinë e jashtme të Shqipërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat