Analiza Postuar më 18 Maj 2026, 11:46

Marsi shënon bilanc pozitiv për turizmin shqiptar/ Rriten ndjeshëm vizitorët e huaj dhe qëndrimet në hotele

Nga Eldiona Serani

Marsi shënon bilanc pozitiv për turizmin shqiptar/ Rriten

Turizmi në Shqipëri vijon të japë sinjale rritjeje edhe jashtë sezonit veror. Gjatë muajit mars, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat akomoduese në vend u rrit me 20.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke treguar se interesi për Shqipërinë si destinacion po zgjerohet gjithnjë e më shumë, sidomos nga turistët e huaj.

Sipas të dhënave, vizitorët jorezidentë ishin ata që udhëhoqën rritjen gjatë këtij muaji, me një zgjerim prej 23.7%, ndërsa turistët rezidentë shënuan një rritje prej 15.9%. Ky ndryshim vjen pas dy muajve të parë të vitit, ku ritmin më të lartë të rritjes e kishin mbajtur vizitorët rezidentë. Të dhënat tregojnë se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj edhe në periudha që tradicionalisht konsideroheshin më të qeta për sektorin.

Edhe net-qëndrimet në strukturat akomoduese kanë vijuar trendin pozitiv, duke u rritur me 12.8% në krahasim me marsin e vitit të kaluar. Vizitorët rezidentë regjistruan një rritje prej 9.8% të net-qëndrimeve, ndërsa turistët jorezidentë shënuan një zgjerim edhe më të fortë, me 14.4%. Kjo tregon se jo vetëm numri i turistëve po rritet, por edhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në vend.

Rajoni qendror mbetet destinacioni më i preferuar për turistët, duke regjistruar rreth 62 mijë vizitorë në strukturat akomoduese. Ndërkohë, rajoni verior renditet i dyti me afro 31 mijë vizitorë, ndërsa rajoni jugor regjistroi rreth 16 mijë vizitorë. Në total, gjatë muajit mars u regjistruan afërsisht 108 mijë vizitorë në hotele dhe struktura të tjera akomoduese në të gjithë vendin.

Sa i përket origjinës së turistëve të huaj, italianët vijojnë të dominojnë me 30% të totalit të vizitorëve jorezidentë që u akomoduan në Shqipëri. Pas tyre renditen Kosova me 12%, Gjermania me 7%, ndërsa vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përbëjnë përkatësisht 6% dhe 5% të totalit. Një pjesë e konsiderueshme, rreth 40%, vjen nga vende të tjera, çka tregon zgjerimin e hartës së turistëve që po zgjedhin Shqipërinë.

Rritja e numrit të vizitorëve është reflektuar edhe në performancën e hoteleve. Norma e shfrytëzimit të dhomave arriti në 18.5% gjatë muajit mars, nga 18.1% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Edhe pse rritja duket modeste, ajo konfirmon trendin pozitiv të industrisë së turizmit dhe zgjerimin gradual të sezonit turistik në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat