Analiza Postuar më 30 Prill 2026, 11:51

Katër porte, një dominues! Durrësi mban peshën në fillimvit/ Transporti detar, në rritje. Pjesën më të madhe e zënë metalet dhe nafta

Nga Scan TV

Katër porte, një dominues! Durrësi mban peshën në

Transporti detar në Shqipëri vijon të mbetet një nga hallkat kryesore të lëvizjes së mallrave dhe pasagjerëve, me Portin e Durrësit që ruan dominimin e tij të qartë në fillim të vitit 2026.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 në portet shqiptare janë transportuar gjithsej rreth 2.28 milionë ton mallra, ndërsa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me anije ka arritur në 154 mijë persona, duke konfirmuar rolin e transportit detar si korridor kryesor për furnizimin dhe lëvizjen në vend.

Në krye të listës qëndron sërish Porti i Durrësit, i cili vijon të mbetet porta kryesore detare e vendit. Nga ky port janë transportuar rreth 2.17 milionë ton mallra, që përfaqësojnë 95.2% të volumit total të mallrave në rang kombëtar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky port ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 39.8%, duke treguar një intensifikim të aktivitetit tregtar dhe industrial.

Nga ana tjetër, portet e tjera vijojnë të mbajnë një peshë dukshëm më të ulët në transportin e mallrave. Porti i Vlorës ka përpunuar rreth 62 mijë ton mallra, ndërsa Porti i Shëngjinit ka regjistruar 40 mijë ton. Në fund të listës renditet Porti i Sarandës (Limjonit), me vetëm 7 mijë ton mallra gjatë tremujorit të parë të vitit.

Ndërkohë, edhe në transportin e pasagjerëve dominimi i Durrësit mbetet i dukshëm. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, nga portet shqiptare kanë udhëtuar 154,019 pasagjerë, ku 77.5% e tyre kanë kaluar përmes Portit të Durrësit. Pas tij renditet Porti i Sarandës, i cili ka përpunuar 14.4% të pasagjerëve, ndërsa Porti i Vlorës ka regjistruar 8.1% të totalit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të lëvizjes së mjeteve detare. Numri i anijeve që kanë hyrë dhe dalë nga portet shqiptare gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka arritur në 265 anije, nga të cilat 248 janë anije të huaja dhe 17 vendase. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri total i anijeve është rritur me 28.6%, duke reflektuar rritjen e aktivitetit në sektorin detar.

Sa i përket strukturës së mallrave të transportuara, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe produktet metalike, të cilat përbëjnë 17.6% të totalit të mallrave të transportuara. Pas tyre renditen koks dhe produktet e rafinuara të naftës me 14.3%, si dhe qymyri, nafta bruto dhe gazi natyror me 12.7%, duke reflektuar rëndësinë e sektorëve industrialë dhe energjetikë në tregtinë detare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat