Shqipëria Postuar më 30 Prill 2026, 10:11

Bankat, rekord ndryshimesh në kushtet e kredisë - Fluksi i ristrukturimeve, më i larti që prej 2021. Fshinë nga bilanci më pak kredi të humbura

Nga Ledina Elezi

Bankat, rekord ndryshimesh në kushtet e kredisë - Fluksi i

Bankat tregtare kanë ristrukturuar një numër rekord kredish gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, fluksi i kredisë së ristrukturuar për këtë periudhë është më i larti që prej vitit 2021.

Rreth 4 miliardë lekë, ose 2% e fluksit të kredisë së re të periudhës dhe sa 12% e stokut të kredive me probleme, u ristrukturuan, pra u ndryshuan kushtet e kredisë, me qëllim që individi apo biznesi ta kishte më të lehtë shlyerjen.

Bankat tregtare mund ta ristrukturojnë një kredi për të lehtësuar barrën e madhe që mund të ketë një kredimarrës. Pra banka i ofron kredimarrësve disa lehtësi, për shkak të vështirësive financiare që mund të hasin gjatë procesit të shlyerjes. Këto lehtësira përfshijnë ndryshime në termat dhe kushtet e kredisë, si për shembull ndryshimin e produktit dhe kapitalizimin e interesit, afatin deri në maturim dhe normën e interesit, ekzekutimin e kolateralit ose aktiveve të tjera për pagesën e pjesshme të kredisë, zëvendësimin e huamarrësit origjinal ose përfshirjen e një huamarrësi shtesë.

Kreditë në lekë dhe valutë të bizneseve ishin ato që u ristrukturuan më së tepërmi. Të dhënat tregojnë se forma kryesore e ristrukturimit e kërkuar nga klientët dhe e miratuar nga bankat ishte zgjatja e afatit të maturimit.

Po për sa i përket fshirjes së kredive të humbura?

Largimet nga bilanci të kredive të humbura kanë vijuar, por më pak se më parë.

Vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet ishte rreth 2 miliardë lekë në gjysmën e dytë të vitit. Gjatë 2025 u fshinë rreth 7 miliardë lekë kredi të humbura dhe rreth 85% e këtij vëllimi lidhet me kredi të marra nga bizneset. Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit ishte sa 4.2% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 15% që ishte në gjashtëmujorin e parë të 2025.

Kur një individ apo biznes nuk paguan këstet e kredisë për një periudhë të gjatë kohore, banka vendos që t'i fshijë nga bilanci i saj ose t'i shesë te palë të treta, me qëllim që të ulë raportin e kredive me probleme. Pavarësisht kësaj, individi ose biznesi do të vijojë të mbetet debitor, mund t'i kërkohen pagesat e kredisë nga pala tjetër ose do e ketë të pamundur të marrë një kredi të re.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat