Shqipëria Postuar më 1 Shkurt 2026, 10:49

"Të tjera drejtori kadastre do të zhvendosen" - Rama: Rasti i Vlorës u keqkuptua. E ardhmja është një shërbim pa sportele

Nga Ledina Elezi

"Të tjera drejtori kadastre do të zhvendosen" - Rama: Rasti

Pas zhvendosjes së zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë, radha do t'i vijë edhe drejtorive të tjera. Në podkastin e kësaj jave, Kryeministri Edi Rama u shpreh se rasti i Vlorës nuk kishte arsye për t'u keqkuptuar, pasi me atë veprim synohet që shërbimet kadastrale të merren vetëm online dhe jo në sportel.

"E nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës", tha Kryeministri.

Rama theksoi se përveç aplikimit online, në e-Albania do të mund të merret edhe shërbimi direkt mbrapsht.

"Ky nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online", u shpreh Kryeministri.

Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online në e-Albania.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat