Shqipëria Postuar më 13 Korrik 2026, 10:42

Taksa e pasurisë, 49% e totalit mblidhet vetëm në Tiranë - 79% e zënë ndërtesat, transaksionet “mbajnë” vetëm 8%

Nga Elisabeta Dosku

Taksa e pasurisë, 49% e totalit mblidhet vetëm në Tiranë -

Bashkitë kanë mbledhur nga taksa mbi pasurinë afro 8.1 miliardë lekë apo rreth 81 milionë euro vitin që lamë pas,  duke përbërë rreth 18% të totalit të të ardhurave të veta të pushtetit vendor.

Në raport me një vit më parë janë mbledhur rreth 474 milion lekë, apo 6.1% më shumë.

Referuar raportit të Financave Vendore për vitin 2025, nga kjo shumë, vetëm Bashkia Tiranë ka siguruar rreth 3.9 miliardë lekë, ose 49% të të ardhurave nga ky burim në nivel kombëtar, duke reflektuar një përqendrim të konsiderueshëm të bazës së taksës mbi pasurinë në kryeqytet. Ndërsa gjysma tjetër ndahet ndër 60 bashki, duke bërë që pesha e kësaj takse në buxhetet e tyre të jetë shumë e ulët pavarësisht ndërtimeve që kanë këto territore.

Taksa e pasurisë është rritur me 146% në raport me vitin 2015,  megjithatë, pesha e saj mbetet relativisht modeste krahasuar me potencialin.

Referuar raportit, taksa mbi ndërtesën zë rreth 79% të totalit të të ardhurave nga taksat mbi pasurinë, 9 % i zë taksa mbi tokën bujqësore, 8% taksa mbi transaksionet e kryera me pasuritë e paluajtshme, dhe 4 %, taksa mbi truallin.

Duke filluar nga viti 2027 pritet të jetë tërësisht funksionale Kadastra Fiskale duke konsoliduar të gjithë informacionin për banesat sipas të dhënave të ASHK. Ky konsolidim do të sjellë më shumë të ardhura, të cilat sipas Ministrisë së Financave, projektohet të të rriten me të paktën 20%. Ndërkohë që është hedhur për konsultim publik edhe projektligji për taksimin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, me vlerën e tregut, çka do të sjellë rritje të ndjeshme të të ardhurave nga ky zë në buxhetet lokale.

Gjatë këtij viti, pushteti vendor ka mbledhur rreth 44.8 miliard lekë të ardhura të veta nga të cilat rreth 40.9 miliard lekë ose 91% e zënë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore dhe pjesa tjetër prej 3.9 miliard lekë ose 9% janë të ardhurat jotatimore.

Ky raport është i qëndrueshëm krahasuar me një vit më parë. Në terma vjetorë, të ardhurat e veta vendore në vitin 2025 u rritën me rreth 368 milion lekë, ose 0.8%, krahasuar me vitin 2024. Burimi me peshën më të madhe në përbërjen e të ardhurave të veta vendore është taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila përbën 37% të totalit të këtyre të ardhurave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat