Shqipëria Postuar më 16 Tetor 2025, 13:35

Sistemi i pagesave të shpejta, nga 2026 në Shqipëri - Rinënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit. Tashmë, pjesë edhe Maqedonia e Veriut

Nga Ledina Elezi

Sistemi i pagesave të shpejta, nga 2026 në Shqipëri -

Është rinënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në Ballkanin Perëndimor, tashmë duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi ishte në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e rinënshkrimit.

Me këtë hap, tashmë 5 banka qendrore, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria janë pjesë e nismës që do të mundësojë kryerjen më lehtë dhe më shpejt të pagesave nga qytetarët. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Guvernatori e Zëvendësguvernatorja e Bankës së Italisë, së bashku me drejtuesit e bankave qendrore të rajonit.

Marrëveshja parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, platforma evropiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale, e projektuar dhe administruar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit. Kjo nismë, e miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane, shënon një hap tjetër drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave dhe afron më tej rajonin me standardet evropiane, shprehet Banka e Shqipërisë.

Zbatimi i sistemit të pagesave të shpejta (instant payment) do të jetë funksional në Shqipëri duke nisur nga viti 2026. Në momentin që një individ dëshiron të blejë një produkt, biznesi do të ofrojë një kod QR që qytetari mund ta skanojë nëpërmjet telefonit të tij dhe të kryejë menjëherë pagesën, pa qenë nevoja që të nxjerrë kartën dhe pa përdorur një terminal POS.

Instant Paymet pritet të rrisë përfshirjen financiare, të ulë përdorimin e parasë fizike, por edhe koston e transaksioneve për biznesin dhe konsumatorët.

Ky sistem nisi si një projekt-pilot në fillim të vitit të kaluar në tre qytete, Tiranë, Dibër dhe Përmet, ku 300 individë realizuan pagesa përmes aplikacioneve të ofruara nga bankat dhe institucionet e parasë elektronike në bizneset e vogla dhe të mesme për një periudhë 4 mujore pranë zonave ku banojnë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat