Shqipëria Postuar më 19 Maj 2026, 10:51

Shqipëria, destinacioni i ri i amerikanëve për jetesë/ Vendi, me kosto të ulët jetese dhe mundësi të mira investimi

Nga Eldiona Serani

Shqipëria, destinacioni i ri i amerikanëve për jetesë/

Interesi i amerikanëve për të jetuar dhe investuar në Shqipëri po rritet ndjeshëm, me Tiranën dhe bregdetin shqiptar që po kthehen në destinacionet më të preferuara për blerjen e pronave. Lagje si Blloku, Komuna e Parisit dhe zona pranë Liqenit Artificial mbeten më të kërkuarat në kryeqytet, ndërsa Saranda, Vlora dhe Durrësi po tërheqin gjithnjë e më shumë qytetarë amerikanë që kërkojnë një stil jetese pranë detit.

Arsyet kryesore që po i shtyjnë amerikanët drejt Shqipërisë lidhen me koston më të ulët të jetesës, e cila vlerësohet rreth 40% deri në 50% më e lirë krahasuar me Shtetet e Bashkuara, si edhe me mundësinë e qëndrimit njëvjeçar pa vizë për qytetarët amerikanë. Një tjetër faktor që po ndikon është edhe bregdeti mesdhetar, klima e favorshme dhe perceptimi i Shqipërisë si një vend mikpritës dhe pro-amerikan.

Ndërkohë, komuniteti i emigrantëve amerikanë në vend po zgjerohet gradualisht, i ndihmuar nga puna në distancë, promovimi në rrjetet sociale dhe perspektiva e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Megjithatë, numri i tyre mbetet më i vogël krahasuar me komunitetet e huaja nga Kosova, Italia apo Turqia.

Sipas një studimi të Investropa, interesi për tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme është rritur veçanërisht në zonat urbane dhe bregdetare, ku të huajt po shohin mundësi investimi afatgjata dhe një cilësi jetese më të përballueshme.

Legjislacioni shqiptar u lejon shtetasve amerikanë të blejnë apartamente apo shtëpi me pronësi të plotë, pasi sistemi i pronësisë funksionon kryesisht mbi bazën e pronësisë së lirë dhe jo me kontrata afatgjata qiraje si në disa vende europiane. Megjithatë, të huajt nuk mund të blejnë drejtpërdrejt toka bujqësore, pyjore apo livadhe pa krijuar më parë një kompani të regjistruar në Shqipëri, proces që zakonisht zgjat rreth dy javë.

Po ashtu, kufizime më të forta ekzistojnë në disa zona pranë vijës bregdetare, sidomos brenda brezit 200 metra nga deti, ku rregullat e ndërtimit dhe pronësisë janë më të rrepta për shkak të mbrojtjes mjedisore dhe planifikimit urban.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat