Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2025, 10:55

Rritet formalizimi në tregun e punës - Në 7 muaj mbi 1300 punëmarrës informalë futen në skemë

Nga Diamila Leka

Rritet formalizimi në tregun e punës - Në 7 muaj mbi 1300

Aksioni ndaj informalitetit në vendet e punës, si një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, duket se ka dhënë frytet e para. Planifikimi i inspektimeve nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore me bazë risku ka sjellë përmirësime të ndjeshme, duke identifikuar rritje të punëmarrësve informalë gjatë proceseve inspektuese.

Sipas të dhënave të deritanishme, për periudhën 7-mujore janar-korrik të këtij viti, janë futur në skemë 1316 punëmarrës informalë nëpërmjet masës urgjente “Pezullim Aktiviteti”, të cilët gjatë kësaj periudhe punonin në mënyrë informale, e kësisoj kanë kontribuar direkt në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Ndërkohë, deklarimi i punonjësve në periudhën e sipërpërmendur, kontributin që dhanë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ka arritur në një vlerë minimale prej 14,686,560 Lekë/muaj pas deklarimit në buxhet.

Ndër të tjera, Inspektoriati Shtetëror i Punës, gjatë muajit korrik ka intensifikuar inspektimet në subjekte, duke arritur kontrollet në 926 subjekte në të gjithë vendin, me fokus kryesor respektimin e ligjit për marrëdhëniet e punës, kushtet e sigurisë dhe regjistrimin e punonjësve.

Gjithashtu janë kontrolluar mbi 20 mijë vende pune dhe në 643 raste janë marrë masa administrative, ku përfshihen gjoba, pezullime të përkohshme aktiviteti, apo detyrime për përmirësime urgjente në vendin e punës.

Inspektorati njofton se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë edhe në muajt në vijim, në kuadër të sezonit turistik dhe angazhimit për formalizimin e tregut të punës, një sfidë që mbetet aktuale për ekonominë shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat