Bota Postuar më 21 Gusht 2025, 10:50

Kina shqyrton krijimin e stablecoins - Kërkon të nxisë përdorimin global të monedhës vendase

Nga Kristi Ceta

Kina shqyrton krijimin e stablecoins - Kërkon të nxisë

Kina po shqyrton për herë të parë lejimin e përdorimit të stablecoins apo monedhave të qëndrueshme të lidhura me juanin, në përpjekje për të rritur praninë globale të monedhës së saj. Ky është një ndryshim i madh në qasjen e Pekinit ndaj aseteve digjitale.

Kabineti i qeverisë kineze pritet të shqyrtojë dhe ndoshta të miratojë më vonë këtë muaj një plan që përfshin promovimin e përdorimit më të gjerë të juanit në tregjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe përpjekjet për të konkurruar me SHBA-në për stablecoins, thanë burimet.

Plani pritet të përfshijë objektiva për përdorimin ndërkombëtar të juanit, detyrat për institucionet rregullatore në vend, si dhe udhëzime për menaxhimin e rreziqeve. Një burim shtoi se udhëheqësit e lartë të vendit do të mblidhen për një sesion studimi që mund të mbahet që në fund të këtij muaji, ku fokusi do të jetë ndërkombëtarizimi i juanit dhe roli i monedhave të qëndrueshme në këtë proces.

Nëse miratohet, kjo nismë do të përfaqësonte një kthesë të madhe në qasjen e Kinës ndaj aseteve digjitale. Kina ndaloi tregtimin e kriptovalutave në vitin 2021, duke përmendur shqetësimet për stabilitetin e sistemit financiar.

Pekini ka aspiruar prej kohësh që juani të ketë një rol më të madh në tregjet globale, të ngjashëm me atë të dollarit ose euros, në përputhje me statusin e saj si ekonomia e dytë më e madhe në botë. Megjithatë, kontrollet strikte të kapitalit dhe suficiti i madh tregtar kanë qenë pengesë për këtë qëllim. Këto kufizime pritet të përbëjnë një sfidë edhe për zhvillimin e stablecoins, sipas ekspertëve të tregut.

Stablecoins janë një lloj kriptomonedhe që ka për qëllim të ruajë një vlerë të qëndrueshme dhe përdoren gjerësisht për transferime fondesh në botën e kriptovalutave. Kina ruan kontrolle të rrepta të kapitalit për lëvizjen e fondeve brenda dhe jashtë vendit, me disa skema të kufizuara për të lejuar investime në tregje të përzgjedhura jashtë Kinës, siç është Hong-Kongu.

Në SHBA, Presidenti Donald Trump mbështeti stablecoins menjëherë pas marrjes së detyrës në janar dhe po krijon një kuadër rregullator për t’i bërë më legjitime kriptoasetet e lidhura me dollarin. Teknologjia “blockchain” që qëndron pas këtyre monedhave lejon transferime të menjëhershme, pa kufij dhe me kosto të ulët, për të sfiduar sistemet tradicionale të pagesave dhe transferimet ndërkombëtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat