Shqipëria Postuar më 31 Tetor 2025, 19:42

Rezoluta, ja 16 detyrat që la Kuvendi për Bankën e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave

Nga SCAN TV

Rezoluta, ja 16 detyrat që la Kuvendi për Bankën e

Një rezolutën me 13 rekomandime për Bankën e Shqipërisë dhe tre të tilla për qevrinë është miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 30 tetor. Dokumenti kërkon që Banka të vijojë të mbajë në fokus kreditimin dhe të ushtrojë më shumë kontroll për zyrat e këmbimit valutor, institucionet jo banka dhe për parandalimin e pastrimit të parave. Në 3 detyrat e lëna për Këshillin e Ministrave,Kuvendi kërkon të hartohen ndryshimet ligjore ku përcaktohen tavane për normat e interesit dhe të penaliteteve për kreditë konsumatore.

 

Në vijim rekomandimet e nxjerra nga Rezoluta e Kuvendit:  

 

Banka e Shqipërisë:

 1. Të pasurojë modelet makroekonomike, duke përfshirë adoptimin në vazhdimësi të metodave bashkëkohore të kërkimit shkencor, në mënyrë që të përmirësojë cilësinë, saktësinë dhe përshtatshmërinë e parashikimeve dhe vlerësimeve ekonomike dhe financiare, duke mbajtur gjithmonë në fokus orientimin e politikës monetare drejt garantimit të qëndrueshmërisë së çmimeve si një parakusht themelor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

2. Të koordinojë politikën monetare me atë fiskale, në mënyrë që të sigurohet një qasje e harmonizuar dhe sinergjike që jo vetëm të mbështesë stabilitetin makroekonomik dhe kontrollin efektiv të inflacionit, por edhe do të krijojë kushtet për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe përmirësim të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.

3. Të adoptojë një qasje të matur dhe të kujdesshme ndaj ndërhyrjeve në tregun valutor, duke i kufizuar ato në raste të nevojshme dhe të justifikuara nga rrethanat e tregut, në mënyrë që të forcohet funksioni i kursit të këmbimit si një mekanizëm vetërregullues i ekonomisë, i cili ndihmon në zbutjen e goditjeve të jashtme, ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e një ekuilibri të qëndrueshëm makroekonomik.

4. Të forcohet mbikëqyrja për sa i takon ekspozimit të sistemit bankar ndaj kredimarrësve të mëdhenj dhe të diversifikohet portofoli i kredive, me qëllim zbutjen e përqendrimit në sektor dhe në territor, duke rritur kapacitetin e bankave në mënyrë që sistemi bankar të ruajë kapitalizimin dhe qëndrueshmërinë edhe në raste të vështirësive të huamarrësve kryesorë si dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

5. Të intensifikojë monitorimin e kredive ndaj sektorit të ndërtimit dhe projekteve të mbështetura me pasuri të paluajtshme, duke siguruar vlerësim më konservativ të kolateralit dhe aftësisë paguese, për të reduktuar rrezikun e përqendruar në këtë sektor dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit bankar.

6. Të integrojë rreziqet klimatike dhe ato të tranzicionit në kuadrin mbikëqyrës, përmes zhvillimit të një kornize gjithëpërfshirëse për identifikimin, matjen, menaxhimin dhe raportimin e ekspozimeve ndaj sektorëve të ndjeshëm, e cila duhet të parashikojë kërkesën që bankat e nivelit të dytë të dokumentojnë politikat përkatëse të menaxhimit të rreziqeve klimatike, të raportojnë rregullisht ekspozimet përkatëse dhe të kryejnë analiza e stres-teste mbi ndikimet e mundshme klimatike dhe të tranzicionit si dhe të ofrojnë instrumente të domosdoshëm për financimin e projekteve që janë në përputhje me këtë agjendë të Shqipërisë në linjë me procesin e integrimit evropian.

7. Të përshpejtojë procesin e përafrimit të kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës me standardet e Bashkimit Europian dhe rekomandimet e Bazel III, në funksion të rritjes së qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe përgatitjes së vendit për integrimin në tregun e përbashkët europian.

8. Të forcojë mbikëqyrjen ndaj institucioneve financiare jobanka, për të synuar zbatimin e plotë të ndryshimeve rregullatore të miratuara gjatë vitit të kaluar, për të përmirësuar cilësinë e portofolit të kredive dhe mbrojtjen e kredimarrësve.

9. Në bashkëpunim me autoritetet e tjera përgjegjëse të harmonizojë dhe të përditësojë në vijimësi planet për reagimin ndaj sulmeve kibernetike në sektorin bankar dhe në sistemet e pagesave të operuara prej saj si dhe të angazhohet në vazhdimësi për realizimin e testimeve të sigurisë për çdo bankë sistemike.

10. Të shtojë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi aktivitetin e zyrave të këmbimit valutor, specifikisht për plotësimin e kërkesave të reja rregullatore, me synim garantimin e integritetit dhe transparencës së sistemit financiar.

11. Në bashkëpunim me institucionet e tjera të fushës të sigurojë zbatimin rigoroz të të gjithë kuadrit rregullativ raportues, parandalues dhe të vigjilencës në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për të gjithë subjektet që mbikëqyr.

12. Të vijojë përditësimin dhe përfshirjen e kuadrit ligjor dhe rregullativ në fushën e pagesave në përputhje me legjislacionin dhe treguesit orientues (benchmarks) të Bashkimit Evropian të përcaktuar në procesin e negociatave, si dhe me nevojat e tregut. Të vazhdojë procesin e integrimit në sistemin TIPS dhe të mbështesë nisma për rritjen e aksesit në pagesa në kohë reale për popullatën dhe bizneset përmes inovacionit teknologjik.

13. Të rrisë bashkëpunimin me të gjithë aktorët dhe institucionet publike për ndërgjegjësimin mbi dëmet e dezinformimit financiar, si dhe të hartojë dhe zbatojë rregullore standarde për parandalimin dhe monitorimin e tij, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe forcimin e sigurisë kombëtare.

 

Gjithashtu, Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të përshpejtojë plotësimin e kuadrit ligjor për institucionet financiare jobankare, përmes:

1. Finalizimit të procesit të ndryshimeve në ligjin nr. 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar, duke parashikuar vendosjen e një tavani mbi normat e interesit dhe penalitetet për kreditë konsumatore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat abuzuese dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit nga autoriteti mbikëqyrës.

2. Ndërmarrjes së ndryshimeve të nevojshme në Kodin Civil për përcaktimin me ligj të normës së penalitetit për vonesat në shlyerjen e detyrimeve dhe të kamatës ligjore, me qëllim krijimin e një kuadri të qartë dhe të parashikueshëm që parandalon abuzimet dhe garanton trajtim të drejtë për palët kontraktuese.

3. Hartimit të ndryshimeve të nevojshme në ligjin nr. 26/2019 “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”, me qëllim forcimin e mbrojtjes ligjore të palëve, specifikisht konsumatorit dhe parandalimin e abuzimeve gjatë ekzekutimit të detyrimeve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat