Shqipëria Postuar më 31 Tetor 2025, 11:35

Cilat janë përjashtimet tatimore që “rezistojnë” deri në 2029? - Nga bizneset e vogla, tek agroturizmi dhe hotelet me 5 yje

Nga Elisabeta Dosku

Cilat janë përjashtimet tatimore që “rezistojnë”

Ndërkohë që qeveria po bën një analizë të detajuar të përjashtimeve nga tatimet dhe taksat, ku disa ndryshime do të reflektohen në paketën fiskale 2026, disa sektorë të ekonomisë, nuk do të preken dhe do të vijojnë të përfitojnë nga lehtësitë fiskale të qeverisë deri në vitin 2029.

Konkretisht, tatimfitimi për agrotuzimin, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, për t’iu përgjigjur edhe fluksit në rritje të turistëve por edhe interesit të tyre për të eksploruar rajone të ndryshme dhe produkte lokale, do të jetë në nivelin 5% deri në vitin 2029.

Po ashtu, me këtë normë tatimore, do të trajtohen edhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, me qëllim nxitjen e iniciativave të tilla në funksion të zhvillimi të bujqësië, fuqizimit të fermerëve, prodhimit të qendrueshm dhe rritjes së eksporteve.

Industria automotive, me qëllim zhvillimin e saj në vendin tonë dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës, do të trajtohet sërish me përparësi deri në vitin 2029, duke u tatuar me 5 %.

Në funksion të zhvillimit të turizmit elitar dhe tërheqjen e markave të njohura të hoteleve në vendin tonë, strukturat akomoduese (hotele, resorte me 4 dhe 5 yje) do të vazhdojnë të jenë të përjashtuara totalisht nga tatimi mbi të ardhurat.

Po ashtu,  individët tregtarë, të vetëpunësuarit dhe entitetet me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, deri në vitin 2029 do të jenë të përjashtuar nga tatimi, me qëllim zgjerimin e aktiviteteve tregtare në vend.

Por, pavarësisht se të vetëpunësuarit nuk tatohen mbi fitimin, për të shmangur skemat e devijimeve, për ata që kanë një numër të kufizuar klientësh, norma tatimore mund të shkojë deri 23 %.

Udhëzimi i fundit i Financave që prek këtë kategori, i cili përfshin deklarimet nga 1 Janari 2025, detajon se “nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të  ardhurave të fituara i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave të fituara nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto vjetore të tij (të  ardhura të faturuara minus shpenzimet e  zbritshme të biznesit), do të aplikohen normat e  tatimit mbi të ardhurat nga punësimi të cilat janë 13-23 %  (pas zbritjeve tatimore).

Po ashtu kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi (deri në nivelin e pagës minimale). Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me aktivet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit gjatë administrimit nga shoqëria administruese.

Ndërkohë aktualisht  të përjashtar nga tatim fitimi, por ende nuk dihet nëse do të vazhdojë ky regjim, janë personat juridikë që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve; Shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat