Shqipëria Postuar më 27 Korrik 2026, 11:22

Rama: Të mbrojmë informimin pa tkurrur liritë - Në Tiranë diskutohet për ndërhyrjet e huaja në informacion

Nga Diamila Leka

Rama: Të mbrojmë informimin pa tkurrur liritë - Në

Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja po shndërrohen në një nga kërcënimet kryesore për demokracitë dhe sigurinë europiane. Përfaqësues të institucioneve europiane, vendeve aleate, institucioneve shqiptare, medias, shoqërisë civile dhe sektorit të teknologjisë u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi mënyrat e përballimit të këtij fenomeni.

Në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, kryeministri Edi Rama deklaroi se sfidat e sigurisë nuk lidhen më vetëm me fuqinë ushtarake, por edhe me mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe të besimit të qytetarëve tek institucionet.

“Në pamje të parë, kjo konferencë ka të bëjë me algoritmet dhe ekosistemet e informacionit. Në realitet, ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore. Ka të bëjë me demokracinë, me besimin e publikut dhe me faktin që shoqëritë e lira zotërojnë strategjinë e mbrojtjes. Sot, ne duhet të mbrojmë diçka të padukshme, sakaq jetike: hapësirën ku qytetarët tanë shkëmbejnë gjykimin dhe bëjnë zgjedhjet e tyre të lira”.

Sipas Ramës, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm nga kapacitetet ushtarake, por gjithnjë e më shumë nga aftësia për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të ruajtur besimin tek institucionet. Në këtë realitet të ri, vetëm mbrojtja kibernetike nuk është e mjaftueshme, pasi Shqipëria është përballur edhe me sulme hibride dhe fushata dezinformimi.
Sinkron Edi Rama Kryeministër

“Ne jemi në pararojë dhe kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata dezinformimi. Historia me gjasa do të na kujtojë jo vetëm si ata që qenë dëshmitarë të lindjes e ngritjes së inteligjencës artificiale, por si një brez të cilit ju desh të vendoste nëse e vërteta mund të mbetej më e fortë sesa manipulimi në një botë digjitale dhe kjo është një dilemë shumë e madhe sepse zgjedhja është shumë komplekse. Ne jemi demokraci dhe duam të mbetemi demokraci, por në të njëjtën kohë demokracitë ofrojnë hapësirë me shumë bujari edhe për miqtë e tyre dhe kjo është dilema e zgjedhja e vështirë që ne duhet të bëjmë”.

Kryeministri paralajmëroi se manipulimi i informacionit nuk shfaqet me një formë të vetme dhe lehtësisht të dallueshme, por përhapet përmes trendeve, videove dhe përmbajtjeve të krijuara apo të përforcuara nga inteligjenca artificiale. Sfida për demokracitë, sipas tij, është mbrojtja e hapësirës së informimit pa kufizuar liritë dhe pa iu trembur përparimit teknologjik, por duke e orientuar atë drejt vlerave demokratike dhe ruajtjes së besimit publik.

 

Shqipëria 27 Korrik Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën negativisht duke regjistruar rënie të vlerës mëngjesin e kësaj të hëne teksa është blerë sot me 81.4 lekë dhe është shitur......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat