Shqipëria Postuar më 21 Nëntor 2025, 09:51

Qipro do të furnizojë Evropën me gaz - Presidenti qipriot: Projekti do të fillojë operimet në vitin 2027

Nga Kristi Ceta

Qipro do të furnizojë Evropën me gaz - Presidenti qipriot:

Një pjesë e rreth 566 miliardë metrave kub gaz natyror të zbuluar në ujërat e Qipros mund të dërgohet në tregjet evropiane duke nisur nga viti 2027, deklaroi presidenti qipriot Nikos Christodoulides.

Sipas tij, sasia e parë që mund të eksportohet do të vijë nga vendburimi Cronos, që operohet nga konsorciumi mes kompanisë italiane Eni dhe kompanisë franceze TotalEnergies. Presidenti qipriot tha se vendimi përfundimtar për vazhdimin e projektit pritet të merret vitin e ardhshëm, ndërsa gazi nga Cronos mund të dërgohet në impiantin e përpunimit në portin egjiptian të Damietta-s për t’u lëngëzuar dhe dërguar me anije drejt Evropës në vitin 2027.

“Qipro është pjesë e zgjidhjeve për sigurinë energjetike në Mesdheun Lindor. Është thelbësore të harmonizojmë interesat tanë me ata të shteteve të fuqishme dhe të veprojmë si një korridor alternativ energjie për Evropën,” u shpreh ai.

Ministria e Energjisë njoftoi se gazi natyror nga vendburimi Cronos mund të arrijë më shpejt në treg për shkak të infrastrukturës ekzistuese që lidhet me depozitën egjiptiane Zor, rreth 80 kilometra larg. Burimet zyrtare shtuan se objektivi për fundin e vitit 2027 është “optimist, por i realizueshëm”.

Gjithashtu, planet për eksportimin e gazit nga një tjetër vendburim qipriot, Aphrodite, përfshijnë vendosjen e një impianti të lundrueshëm përpunimi mbi rezervuar. Aty, hidrokarburet do të shndërrohen në “gaz të thatë”, që do të dërgohet drejtpërdrejt te konsumatorët në Egjipt. Gazi i përpunuar më pas do të çohet drejt një impianti pranë Port Said në Egjipt dhe, në varësi të marrëveshjes mes Qipros dhe operatorit të vendburimit, do të përdoret për konsum të brendshëm egjiptian ose do të lëngëzohet për eksport në Evropë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat