Shqipëria Postuar më 15 Dhjetor 2025, 13:21

Linjë e re energjetike 110 kV/ Zogu i Zi-Tirana Qendër, forcim i rrjetit të transmetimit në kryeqytet

Nga Ola Mitre

Linjë e re energjetike 110 kV/ Zogu i Zi-Tirana Qendër, forcim i

Me një fond limit prej rreth 287 mln lekë, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hapur tenderin për ndërtimin e linjës 110 kV Zogu i Zi – Tirana Qendër dhe kryerjen e punimeve në nënstacionin Tirana Qendër. Projekti synon forcimin e rrjetit të transmetimit në kryeqytet dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në një nga zonat me ngarkesën më të lartë të konsumit në vend.

Sipas dokumenteve të tenderit, investimi përfshin ndërtimin e një linje kabllore të re nëntokësore 110 kV që lidh nënstacionin Zogu i Zi me nënstacionin Tirana Qendër, si dhe instalimin e pajisjeve të reja energjetike në të dyja nënstacionet. Punimet parashikojnë vendosjen e terminaleve të reja 110 kV, integrimin e linjës në sistemin ekzistues të mbrojtjes dhe kontrollit, si dhe modernizimin e skemave të monitorimit dhe komandimit nëpërmjet sistemit SCADA.

Projekti do të realizohet me formulën “turnkey”, që do të thotë se kompania fituese do të jetë përgjegjëse për të gjithë ciklin e punimeve, nga projektimi dhe furnizimi me pajisje, deri te ndërtimi, testimi dhe vënia në punë e linjës.

OST thekson se ndërtimi i kësaj linje është i domosdoshëm për të përballuar rritjen e kërkesës për energji në Tiranë dhe për të rritur qëndrueshmërinë e rrjetit të transmetimit, duke reduktuar rrezikun e mbingarkesave dhe ndërprerjeve. Lidhja e re pritet të përmirësojë gjithashtu fleksibilitetin e operimit të sistemit, veçanërisht në rastet e avarive apo punimeve mirëmbajtëse.

Afati për dorëzimin e ofertave nga operatorët e interesuar është data 30 dhjetor 2025.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat