Shqipëria Postuar më 11 Mars 2026, 11:28

Ku t'i investoni kursimet në mars? - Rritje e lehtë e interesit për bonot 12-mujore në ankandin e fundit

Nga Ledina Elezi

Ku t'i investoni kursimet në mars? - Rritje e lehtë e interesit

Interesi i bonove 12-mujore të thesarit ka shënuar një rritje të lehtë në ankandin më të fundit. Në ankandin e datës 10 mars, norma mesatare e interesit për këto instrumente arriti në 2.45%, nga 2.43% që ishte në ankandin e mëparshëm. Rritja është e vogël dhe konsiderohet pjesë e lëvizjeve normale të tregut financiar.

Megjithatë, edhe pas kësaj rritjeje, interesi i bonove 12-mujore vijon të mbetet nën normën bazë të interesit prej 2.5% të vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Në këtë ankand, qeveria synonte të merrte hua 11 miliardë lekë përmes bonove të thesarit. Ndërkohë, investitorët paraqitën kërkesa për rreth 9.36 miliardë lekë, që tregon një interes disi më të moderuar për këtë instrument.

Bonot e thesarit janë ndër mënyrat kryesore me të cilat qeveria merr hua në tregun e brendshëm. Kur interesat e tyre janë të ulëta, kjo do të thotë se qeveria mund të financojë borxhin me kosto më të lirë. Në të njëjtën kohë, normat e ulëta të interesit ndikojnë edhe në tregun bankar, duke krijuar kushte për kredi më të lira në lekë.

Yield-i, ose norma e kthimit, përfaqëson fitimin që realizon investitori nga blerja e bonove deri në momentin e maturimit. Për bonot 12-mujore, ky fitim vjen nga diferenca mes çmimit me të cilin blihen dhe vlerës që paguhet nga shteti pas një viti.

Por cilat janë mundësitë e tjera të investimit gjatë këtij muaji?

Gjatë pjesës së mbetur të muajit mars, investitorët do të kenë disa mundësi për të investuar kursimet e tyre në tituj qeveritarë përmes ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë.

Në treg do të ofrohen obligacione me afat 3, 5 dhe 7 vite, të cilat janë të përshtatshme për ata që kërkojnë investime afatmesme dhe afatgjata. Po ashtu do të emetohen edhe bono thesari 12-mujore, që konsiderohen një alternativë më afatshkurtër për investitorët.

Titujt qeveritarë konsiderohen ndër format më të sigurta të investimit në tregun vendas, pasi garantohen nga qeveria dhe përdoren shpesh nga individët dhe institucionet financiare për të investuar kursimet e tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat