Shqipëria Postuar më 11 Mars 2026, 11:16

Si ndikuan projektet e infrastrukturës në çmimet e pronave? Zonat pranë projekteve të mëdha përfitojnë rritje nga 10- 20%

Nga Eldiona Serani

Si ndikuan projektet e infrastrukturës në çmimet e pronave?

Tre projekte të mëdha infrastrukturore pritet të kenë ndikimin më të madh në tregun e pronave në Tirana gjatë pesë viteve të ardhshme: Unaza e Madhe e qytetit, sistemi i autobusëve elektrikë me linjë të dedikuar (e-BRT), si dhe investimi hekurudhor në korridorin Tiranë-Durrës.

Sipas analizave së Investropa mbi ndikimin e infrastrukturës në tregun imobiliar, pronat që ndodhen pranë projekteve të mëdha të përfunduara zakonisht shiten me një premium prej rreth 10% deri në 20% krahasuar me pronat e ngjashme që nuk kanë këtë avantazh aksesueshmërie. Ky efekt  pritet të jetë zakonisht më i fortë në vitet e para pas përfundimit të projektit.

Zonat që pritet të përfitojnë më shumë nga këto zhvillime janë Astiri, Kombinati dhe Yzberishti përgjatë Unazës së Madhe, si dhe komunitetet përgjatë aksit Durrës–Tiranë, ku përmirësimi i lidhjes hekurudhore pritet të rrisë aksesin dhe kërkesën për banim.

Në të njëjtën kohë, faktorët demografikë parashikohet të kenë një rol të rëndësishëm në rritjen e çmimeve të pronave. Edhe pse rritja e popullsisë në nivel kombëtar në vend mbetet modeste, Tirana vazhdon të jetë destinacioni kryesor për migrimin e brendshëm, duke mbajtur kërkesën për banesa mbi mesataren kombëtare.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është krijimi i familjeve më të vogla dhe më të reja, të cilat kanë nevojë për më shumë njësi banimi për frymë dhe preferojnë apartamente moderne në zona me lidhje të mira transporti.

Për këtë arsye, pronat që pritet të përfitojnë më shumë nga këto zhvillime janë apartamentet e reja me 1 ose 2 dhoma gjumi në lagjet e unazës së brendshme dhe të jashtme të Tiranës, veçanërisht në zonat ku infrastruktura dhe lidhjet e transportit po përmirësohen. Në afatin 5-vjeçar, kombinimi i investimeve në transport dhe rritjes së kërkesës nga migrimi i brendshëm dhe diaspora pritet të mbajë tregun e pronave në Tiranë në një trend rritës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat