Shqipëria Postuar më 1 Qershor 2026, 12:48

Ku mund t'i investoni paratë tuaja? Tafa: Shqiptarët vijojnë të jenë “besnikë” të depozitave dhe pasurive të paluajtshme

Nga Ledina Elezi

Ku mund t'i investoni paratë tuaja? Tafa: Shqiptarët vijojnë

Ndërsa alternativat e investimit sa vijnë e rriten, shqiptarët vijojnë t’i mbeten “besnikë” investimit të kursimeve të tyre në depozita bankare dhe pasuri të paluajtshme.

Në një intervistë për Televizionin Scan, pedagogia Besarta Tafa u shpreh se ato shihen si dy forma më të qëndrueshme investimi nga qytetarët, pavarësisht se ekzistojnë edhe shumë alternativa të tjera investimi.

“Shqiptarët tradicionalisht kanë vendosur që t'i mbajnë kursimet e tyre në bankë, në formën e llogarisë bankare, gjithashtu edhe llogarisë së kursimit. Kjo mbështetet edhe nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, e cila ka raportuar në vitin 2025 një rritje rekord të depozitave bankare, duke kaluar 1. 4 trilionë lekë. Por ajo e cila ngelet një ndër format më të preferuara për shqiptarët është investimi në pasuri të paluajtshme. Kjo për faktin se shqiptarët e konsiderojnë si formën më të prekshme të investimit dhe gjithashtu më të qëndrueshme”, theksoi pedagogia Tafa.

Investimi i parave në tituj qeveritarë, marrja pjesë në fondet e investimit apo në fondet private të pensioneve, janë gjithashtu një mënyrë e mirë për të diversifikuar investimin dhe si rrjedhojë edhe fitimin nga kursimet.

“Së pari kemi bonot e thesarit dhe obligacionet qeveritare, të cilat përbëjnë një instrument financiar të emetuar nga qeveria, me një kthim relativisht të ulët, por janë një ndër instrumentet më të qëndrueshëm financiarë në treg. Së dyti, një zhvillim shumë të madh kanë marrë edhe fondet e investimeve, të cilat ofrojnë një mundësi investimi të diversifikuar për konsumatorët shqiptarë, qoftë edhe për ata që nuk kanë njohuri të thelluara financiare. Vlen për t'u përmendur gjithashtu edhe fondet private të pensioneve, të cilat gjithashtu ofrojnë siguri financiare afatgjatë në periudhën pas daljes në pension”, listoi Tafa.

Nga ana tjetër, investimi në kriptomonedha, sa është fitimprurës, është edhe me një risk të lartë, pasi kërkon disa njohuri bazike financiare ose një konsulent financiar për të kryer investimin, në kushtet edhe të një pasigurie kibernetike.

“Por nuk duhet të harrojmë edhe mundësinë që globalizimi i ka ofruar Shqipërisë për investime në kriptomonedha. Ky është një lloj investimi që premton një kthim shumë të lartë, por nga ana tjetër vjen edhe me sfidat e veta. Së pari është siguria kibernetike dhe së dyti, që një individ të investojë në kriptomonedha duhet të ketë edhe një njohuri minimale financiare ose së paku duhet të veprojë me në konsulent financiar, në mënyrë që investimi i tij të jetë sa më i saktë dhe i sigurtë, përndryshe do të rezultonte në humbje ose risqe të larta”, tha Tafa.

Sipas pedagoges, nuk ka një formë unike për të gjithë investitorët, gjithsecili vendos të investojë fondet e veta në varësi të profilit të tij të riskut, në varësi të afatit kohor që preferon të kthejë investimin, gjithashtu edhe kërkesës për likuiditet. Mënyra më e mirë do të ishte diversifikimi në fonde të ndryshme financiare, duke mundësuar investim me një kthim të lartë, gjithashtu dhe për menaxhimin sa më të mirë të riskut financiar u shpreh ajo.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat