Shqipëria Postuar më 31 Maj 2025, 10:54

KESH i rikthehet blerjeve të energjisë - Hap procedurën për 33.600 mWh, deri tani janë shpenzuar 38 mln euro

Nga Ola Mitre

KESH i rikthehet blerjeve të energjisë - Hap procedurën për
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare iu është rikthyer blerjeve të energjisë, pas më shumë se 2 muajve që nuk kryente asnjë procedurë tenderuese. Ky dikaster kërkon të sigurojë 33.600 mWh energji, e nevojshme për mbulimin e nevojave konsumatore përgjatë periudhës 2-8 qershor. Rezultatet e procedurës nuk janë publikuar ende, por referuar çmimeve në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike ato shkojnë në rreth 70 euro/mWh.

Procedura e fundit për blerje energjie nga KESH, u zhvillua në mesin e muajit mars. Ndërkohë që, fatura nga tenderët e zhvilluar në 3 muajt e parë të vitit përllogaritet në rreth 38 mln euro. Sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, në total janë blerë rreth 268 mijë mWh energji, me një çmim mesatar prej 136 euro/mWh. Në total përgjatë 3 muajve janë zhvilluar 10 tenderë për sigurimin e energjisë.

Kjo situatë është e ndryshme nga ajo e vitit të kaluar, duke qenë se deri në muajin qershor nuk u zhvillua asnjë procedurë për blerjen e energjisë, pasi nevojat plotësoheshin nga prodhimi i hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit. Sipas përllogaritjeve rezulton se përgjatë gjithë vitit 2024 fatura për blerjen e energjisë arriti në rreth 70 mln euro.

Këto të dhëna nxjerrin në pah edhe njëherë varësinë që ka vendi ynë nga kushtet e motit në drejtim të gjenerimit të energjisë elektrike. Kjo, duke marrë në konsideratë se rreth 94% e saj prodhohet nga burimet ujore, ndërsa vetëm 6% vjen nga impiantet fotovolatike.

 

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat