Shqipëria Postuar më 18 Qershor 2026, 10:35

Janar-Maj, mbi 424 mijë vizitorë në sitet kulturore - Ministri Gonxhja: Të ardhurat shënojnë rritje prej 7.3%

Nga Ernilda Luzi

Janar-Maj, mbi 424 mijë vizitorë në sitet kulturore - Ministri

Trashëgimia kulturore shqiptare vijon të tërheqë një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bën të ditur se gjatë periudhës janar–maj 2026, institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore në mbarë vendin kanë mirëpritur plot 424 mijë e 82 vizitorë vendas dhe të huaj.

Sipas shifrave të publikuara, muzetë kombëtarë kanë regjistruar 143 mijë e 86 vizitorë, duke dëshmuar interesin në rritje për historinë, artin dhe identitetin kulturor të vendit. Ndërkohë, parqet arkeologjike kanë qenë destinacionet më të frekuentuara, me 188 mijë e 437 vizitorë, ndërsa kalatë dhe monumentet e kulturës kanë tërhequr 91 mijë e 559 vizitorë gjatë pesë muajve të parë të vitit.

Shifrat tregojnë një rritje të konsiderueshme të interesit për pasuritë kulturore shqiptare. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, vizitueshmëria është rritur me 95.71%, ndërsa të ardhurat e gjeneruara nga këto institucione kanë shënuar një rritje edhe më të lartë, prej 147.44%.

Edhe në raport me vitin e kaluar, tendenca mbetet pozitive. Numri i vizitorëve është rritur me 9.9%, ndërsa të ardhurat kanë njohur një rritje prej 7.3%, duke konfirmuar interesin e qëndrueshëm të publikut vendas dhe të turistëve të huaj për destinacionet kulturore shqiptare.

Sipas ministrit Gonxhja, trashëgimia kulturore nuk përfaqëson vetëm historinë dhe identitetin e kombit, por edhe një burim energjie, krenarie kombëtare dhe një magnet të fuqishëm që po tërheq çdo vit e më shumë vizitorë nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota.

Rritja e vazhdueshme e vizitueshmërisë në muze, parqe arkeologjike, kala dhe monumente kulture dëshmon se pasuritë historike dhe kulturore të vendit po fitojnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën turistike rajonale dhe ndërkombëtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat