Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 13:11

Rritet prodhimi i energjisë në vend - Bilanci për 4-mujorin: Ulen lehtë humbjen në rrjet, arkëtimet në masën 82%

Nga Ola Mitre

Rritet prodhimi i energjisë në vend - Bilanci për 4-mujorin: Ulen

Rreth 4.4 mln mWh energji u prodhuan gjatë 4 - mujorit të parë të këtij viti nga të gjithë burimet gjeneruese në vend, duke shënuar rritje të ndjeshme në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua rreth 2.9 mln mWh energji.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi u dominua nga privatët me 54% të energjisë totale, teksa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, përfshirë centralin diellor të Karavastasë që është përfshirë te bilanci publik energjetik gjeneroi 46%.

Te prodhuesit privatë, përveç hidrocentraleve përfshihen edhe centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike. Sipas të dhënave nga ERE, në total impiantet në treg të lirë dhe ata që kanë kontratë me Furnizuesin e Tregut të Lirë prodhuan 165,916 mWh apo rreth 3.8% të totalit të energjisë elektrike të gjeneruar në vend.

Nëse kësaj vlere i shtojmë edhe energjinë e prodhuar nga centrali diellor i Karavstasë, atëhere totali i energjisë diellore në vend shkon në 5.22% e sasisë totale të gjeneruar.

Ndërkaq, konsumi total i energjisë për 4 - mujorin arriti në rreth 3.1 mln mWh energji, duke pësuar një rritje të lehtë në raport me periudhën janar- prill të vitit të kaluar. Paralelisht, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 4 - mujorin u regjistrua në 16.57%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 17%.

Sa i takon nivelit të arkëtimeve për periudhën janar – prill, ky tregues arriti në në 82% të faturave të gjeneruara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat