Shqipëria Postuar më 7 Maj 2026, 15:13

Hendeku financiar për klimën, 93% - Plani i përshtatjes 9.8 mld USD, Jaupaj: Gjetja e financimit është sfidë

Nga Ola Mitre

Hendeku financiar për klimën, 93% - Plani i përshtatjes 9.8 mld

Vendi ynë përballet me një hendek të madh financiar për përballimin e efekteve të ndryshimeve klimatike. Sipas Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, vendi ka të siguruara vetëm 7% të fondeve të nevojshme për masat e përshtatjes, ndërsa boshllëku arrin deri në 93%, duke e bërë këtë një nga sfidat më të mëdha financiare të dekadës së ardhshme. Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj foli për sfidat e gjetjes së financimit të nevojsëhm, të cilat u prezantuan edhe në Konferecnën “Të bashkuar për Klimën”, të zhvilluar në Tiranë.

“Vlera financiare e gjithë Planit Kombëtar të Ndryshimeve Klimatike të Shqipërisë ka një vlerë prej 9.8 mld USD. Megjithatë, në kalkulimet që ne kemi bërë, sigurisht del që është një hendek 93% sa i takon financimit. Financimi shtetëror për mjedisin është çdo vit e më shumë, megjithatë është i pamjaftueshëm. Dhe për këtë arsye, këto masa u prezantuan me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, duke nisur nga Komisioni Evropian dhe më pas organizatat e ndryshme të cilat ofrojnë grante apo qoftë edhe kredi, në mënyrë që ne më pas të bëjmë edhe një plan financimi sa i takon zbatimit të këtyre masave në hapësirën 10-vjeçare”, - tha Jaupaj.

Jaupaj foli edhe për një nga projektet që nparashikohen të fillojnë së shpejti, në drejtim të sistemi hidrometeorologjik, që aktualisht paraqet problematike të shumta, por është thelbësor në drejtim të ndryshimeve klimatike.

“Në këtë kuadër kemi krijuar një aleancë me Swiss-Meteo, që është operatori zviceran i hidrometeorologjisë, në mënyrë që ne të bëjmë një reformë të plotë sa i takon gjithë këtij organizimi institucional, por edhe investime në terren që do të shërbejnë për shtimin e stacioneve, krijimin e një qendre të saktë për sistemin hidrometeorologjik dhe parashikimet e duhura në kohën e duhur për të gjitha problematikat e motit të cilat për shkak të ndryshimeve klimatike bëhen çdo ditë e më të shpeshta siç janë zjarret e verës apo përmbytjet e dimrit”, - tha Jaupaj.

Paralelisht, ministri njoftoi përfitimin e një granti prej 50 mln USD, që do të miratohet po nga Fondi i Gjelbër i Global Klimës, për sektorin e pyjeve, sa i takon zgjerimit të fidanishteve dhe ripyllëzimit të zonave që janë të degraduara për shkak të zjarreve, por nga ana tjetër edhe ngritjes së kapaciteteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat