Shqipëria Postuar më 21 Prill 2025, 10:24

Forcohet kontrolli i produkteve ushqimore - Udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë: Me lot identifikues nga 1 janari 2026

Nga Ernilda Luzi

Forcohet kontrolli i produkteve ushqimore - Udhëzimi i Ministrisë

Nga 1 janari 2026, të gjitha produktet ushqimore që tregtohen në vend do të duhet të jenë të pajisura me tregues identifikues të quajtur "lot", sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Bujqësisë. Udhëzimi i ri synon vendosjen e sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, nga prodhimi deri te shitja.

Referuar udhëzimit të publikuar në Fletorin Zyrtare, lot-i do të jetë një kod me shkronja apo numra, që vendoset nga prodhuesi apo përpunuesi. Ky tregues do të mundësojë identifikimin e saktë të serisë së prodhimit të një produkti dhe do t’u vijë në ndihmë autoriteteve, për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë çdo problem të mundshëm të sigurisë ushqimore. Çdo produkt ushqimor që hidhet në treg pas datës 1 janar 2026 do të duhet të mbajë këtë kod.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë produktet bujqësore të dorëzuara direkt në stacione përpunimi; produktet në pikën e shitjes te konsumatori i fundit, kur nuk janë të parapaketuara; si dhe paketimet shumë të vogla, me sipërfaqe më të vogël se 10 cm².

Ndërkohë, kodet duhet të jenë të shënuara në etiketë apo ambalazh dhe të jenë të lexueshme e të dukshme. Në rastet kur produktet kanë të shënuar datën e përdorimit, treguesi i lot-it nuk është i detyrueshëm, por me kusht që data të jetë e plotë dhe e lexueshme.

Nga ana tjetër, produktet që janë etiketuar përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, mund të tregtohen deri në përfundim të stoqeve ekzistuese, me detyrim që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të evidentojë sasinë deri në shitjen e plotë të tyre, sipas udhëzimit.

Për zbatimin e këtij udhëzimi i është ngarkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore si dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Udhëzimi hyn në fuqi duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

 

 

Sondazh

Poll
Bota 21 Prill

Vatikan: Ndahet nga jeta Papa Françesku!

Papa Françesku, udhëheqësi i parë i Kishës Katolike Romake në Amerikën Latine, është ndarë nga jeta, tha Vatikani në një deklaratë video të hënën, duke i......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat