Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2026, 11:20

Filtër i ri për monumentet - Ngrihet Komisioni Shtetëror i Artit në Hapësirat Publike

Nga Fabjona Pasho

Filtër i ri për monumentet - Ngrihet Komisioni Shtetëror i Artit

Monumente, buste, memoriale, skulptura, apo vepra të tjera arti nuk do të mund të vendosen në hapësirat publike vetëm me miratimet vendore. Çdo projekt i tillë do të duhet të kalojë edhe në filtrin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike, i cili do të japë miratimin përfundimtar nga pikëpamja artistike dhe kulturore.

Rregullat e reja përcaktohen në një udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Kulturës dhe Ministritt ë Shtetit për Pushtetin Vendor, sipas të cilit Komisioni do të shqyrtojë çdo vepër arti apo vepër përkujtimore që propozohet për t'u vendosur në një shesh, rrugë, park apo hapësirë tjetër publike.

Në praktikë, përpara se një monument apo skulpturë të vendoset në një hapësirë publike, do të vlerësohet jo vetëm projekti, por edhe nëse ai përshtatet me zonën ku propozohet. Komisioni do të gjykojë cilësinë artistike, raportin me arkitekturën dhe urbanistikën përreth, ndikimin në hapësirën publike, respektimin e vlerave historike e të trashëgimisë kulturore, si dhe interesin publik.

Nëse Komisioni nuk e miraton veprën, ajo nuk mund të marrë lejen për t'u vendosur në hapësirën publike. Kjo vlen edhe kur projekti financohet privatisht, pasi rregulli zbatohet pavarësisht se kush e propozon apo financon veprën.

Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë, nga të cilët tre janë përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për kulturën ose institucioneve të saj dhe dy ekspertë të jashtëm në fusha si arkitektura, urbanistika, artet pamore, skulptura monumentale dhe trashëgimia kulturore. Në raste të veçanta ministri mund të shtojë edhe dy ekspertë të tjerë me të drejtë vote.

Nga miratimi i Komisionit përjashtohen veprat që vendosen përkohësisht në hapësirat publike, për një periudhë jo më të gjatë se një vit, me kusht që të jenë thjesht instalacione artistike/dekor urban dhe të mos kenë karakter memorial apo përkujtimor. Jashtë kësaj procedure mbeten edhe reklamat dhe elementet publicitare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat