Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2026, 10:39

Kadastra sqaron qytetarët: Ja dokumentet që duhen për regjistrimin e tokës me AMTP

Nga Edel Strazimiri

Kadastra sqaron qytetarët: Ja dokumentet që duhen për

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka informuar qytetarët mbi dokumentet që duhet të disponojnë për regjistrimin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).

Sipas ASHK-së, përpara aplikimit qytetarët duhet të sigurohen se kanë të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Në dosje duhet të përfshihen AMTP-ja origjinale, plani i rilevimit të tokës sipas standardeve të miratuara, si dhe certifikatat e gjendjes familjare, në varësi të kategorisë së familjes përfituese.

Për familjet e ish-kooperativave bujqësore kërkohet certifikata e gjendjes familjare e datës 1 gusht 1991, si dhe certifikata e momentit të regjistrimit. Për familjet e ish-ndërmarrjeve bujqësore kërkohet certifikata e 1 gushtit 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992, dhe certifikata e momentit të regjistrimit.

Në rastet kur familjeve përfituese u është hequr pronësia e tokës, duhet të paraqitet dokumentacioni që vërteton pronësinë e tokës përpara vitit 1946, si dhe dëshmia e trashëgimisë, kur është e nevojshme.

Në dosje duhet të përfshihet gjithashtu vërtetimi i pagesës së taksave vendore.

ASHK sqaron se aplikuesi nuk duhet të ketë përfituar më parë tokë bujqësore në territorin e një ish-kooperative apo ish-ndërmarrjeje tjetër bujqësore, të ndryshme nga ajo ku ndodhet toka për të cilën kërkohet regjistrimi.

Pas aplikimit, drejtoritë vendore të ASHK-së kryejnë verifikimet përkatëse për të vlerësuar mundësinë e regjistrimit të ngastrës, duke krahasuar dokumentacionin e pasurisë me gjendjen faktike në terren.

Dokumentet duhet të ngarkohen në format PDF gjatë aplikimit, ndërsa kopjet origjinale duhet të dërgohen me postë pranë Drejtorisë Vendore përkatëse të Kadastrës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat