Shqipëria Postuar më 20 Mars 2026, 10:26

Energjia e gjelbër, prioritet kyç deri në 2029 - Përmbushje e 6 reformave për të përfituar 127.8 mln euro nga BE

Nga Ola Mitre

Energjia e gjelbër, prioritet kyç deri në 2029 -

Energjia dhe tranzicioni i gjelbër është një nga shtyllat kryesore të reformave, e parashikuar në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027 – 2029. Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, 6 reformat e parashikuara ndër të tjera përfshijnë harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me paketën energjetike të BE-së dhe integrimin në tregun evropian të energjisë elektrike, përfshirë krijimin e tregut “brenda ditës”. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është tërheqja graduale e shtetit nga përcaktimi i çmimeve të energjisë, duke kaluar drejt një tregu të liberalizuar, por me masa mbrojtëse për shtresat vulnerabël.

Në fokus është edhe zhvillimi i ankandeve transparente për energjinë e rinovueshme, si dhe forcimi i kuadrit ligjor për këtë sektor, përfshirë krijimin e komuniteteve të energjisë dhe sistemin e garancive të origjinës. Objektiv konkret mbetet instalimi i 600 MË kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, duke rritur peshën e burimeve të pastra në miksin energjetik.

Paralelisht, Shqipëria synon të avancojë drejt krijimit të një sistemi për tregtimin e emetimeve të karbonit, në përputhje me standardet e BE-së, si dhe të përmirësojë eficiencën e energjisë përmes rinovimit të ndërtesave dhe skemave të detyrueshme të kursimit të energjisë.

Përmbushja e këtyre reformave është e lidhur drejtpërdrejt me paketën financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të anëtarësimit, duke e bërë këtë një mekanizëm “pagesë për performancë”. Në total, vendi ynë pritet të përfitojë rreth 922 mln euro (grant dhe kredi) për periudhën 2024 -2027 në rast të përmbushjes së reformave kyçe të përafrimit me BE-në, nga të cilat 127.8 mln euro janë pikërisht për energjinë dhe tranzicionin gjelbër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat