Shqipëria Postuar më 14 Janar 2026, 10:21

Dyfishohen parcelat publike në sezonin turistik - Shkodra, projekt pilot për menaxhimin e plazheve

Nga Ernilda Luzi

Dyfishohen parcelat publike në sezonin turistik - Shkodra, projekt pilot

Hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare u rritën në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 2025. Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, krahasuar me vitin 2024 plazhet publike janë rritur me 17.4%, duke shtuar mbi 1.1 milionë m² sipërfaqe të aksesueshme për qytetarët.

Po ashtu, numri i parcelave publike është pothuajse dyfishuar, nga 523 në 1014 ose 94% më shumë gjatë sezonit turistik 2025. Ky zhvillim konsiderohet një tregues i qartë i orientimit drejt një turizmi më gjithëpërfshirës dhe të balancuar.

Ndërkohë, me rregulloren e re të menaxhimit të stacioneve të plazhit gjatë vitit që lamë pas u riorganizuan hapësirat e plazheve me prioritet ato publike. Gjatë vitit 2025, ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar, si plazh privat/publik u krye sipas gjatësisë në vijë lineare të hartës, duke ruajtur raportin 300 m hapësirë publike për çdo 1000 m vijë plazhi. Rregullorja përmbante gjithashtu një përcaktim të saktë të zonave ku ushtronin veprimtarinë e tyre subjektet të cilat përmbushnin kushtet ligjore si stacion plazhi, hapësirat për plazhe publike, hapësirat ujore të lejuara për notim, si dhe vendqëndrimet për mjetet lundruese.

Ndërkohë, ministri Gonxhja njoftoi nisjen e punës përgatitore për sezonin e ri veror nga Shkodra. Në një takim me Bashkinë Shkodër, u diskutua potenciali turistik i qytetit dhe menaxhimi i plazheve dhe bregdetit.

Aktualisht, Shkodra administron rreth 215 mijë m2 plazh, nga të cilat mbi 165 mijë metra katrorë janë hapësira të lira, duke krijuar mundësi për zbatimin e një projekti pilot në funksion të interesit publik dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve.

Gjatë diskutimit, u theksua nevoja për rregulla të qarta në përdorimin e parcelave, respektimin e standardeve të distancës mes çadrave dhe shezlongëve, monitorimin dhe pastrimin e plazheve, si dhe masa ndëshkuese deri në prishje kontrate për shkelësit.

Në fokus ishte edhe kontrolli i çmimeve abuzive, zhvillimi i aktiviteteve verore kulturore dhe sportive, certifikimi i rojeve bregdetare dhe forcimi i Policisë së Bregdetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.

Qëllimi i këtij modeli është që çdo bashki që administron plazhe të zbatojë detyrimet ligjore në mënyrë të njëtrajtshme, duke garantuar më shumë hapësira publike, transparencë në menaxhim dhe standarde më të larta sigurie dhe cilësie për qytetarët dhe vizitorët.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat