Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2026, 10:49

Bizneset shqiptare, vështirësi në aksesin në financë - Raporti i OECD: Të krijohet Byroja Private e Kredisë. Banka e Zhvillimit, hap pozitiv

Nga Ledina Elezi

Bizneset shqiptare, vështirësi në aksesin në financë -

Aksesi i bizneseve të vogla dhe të mesme në financa mbetet një nga pikat më të sfiduese të ekonomisë shqiptare, pavarësisht përmirësimeve të lehta të shënuara vitet e fundit. Sipas Indeksit të Politikave për NVM-të 2026 të OECD-së, Shqipëria vlerësohet me 3.13 pikë për dimensionin e aksesit në financa, një rritje e lehtë krahasuar me vlerësimin e mëparshëm prej 3.05 pikësh, por ende nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, që është 3.21 pikë.

Raporti vlerëson se përmirësimi është mbështetur nga zhvillimi i sektorit të mikrofinancës, zgjerimi i instrumenteve si leasing-u dhe factoring-u, si edhe nga hapat për forcimin e edukimit financiar dhe alternativave të financimit për bizneset. Megjithatë, kreditimi bankar vazhdon të pengohet nga dobësitë strukturore, veçanërisht në regjistrimin e kolateralit dhe sistemin e informacionit të kredisë.

Në nën-dimensionin e financimit bankar, Shqipëria ka pësuar rënie nga 3.70 pikë në vitin 2022 në 3.20 pikë në vitin 2026. Sipas OECD-së, kjo lidhet me mungesën e një kuadri të plotë për informacionin e kredisë, si dhe me ndërprerjen e skemave të përkohshme të garancive sovrane që u krijuan gjatë pandemisë për të lehtësuar financimin e bizneseve.

Raporti thekson se Regjistri i Kredive i Bankës së Shqipërisë nuk përfshin të dhëna nga kompanitë e shërbimeve apo tregtarët me pakicë, ndërsa mungon ende një bazë ligjore për krijimin e një byroje private të informacionit të kredisë. Po ashtu, regjistrimi i pasurive të luajtshme, sidomos në sektorin bujqësor, mbetet problematik, duke kufizuar mundësitë e bizneseve për të përdorur asetet si kolateral.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rezultat është ndërprerja e programeve të mëdha të mbështetjes financiare për NVM-të. Pesha e kredive për bizneset e vogla dhe të mesme në totalin e huave të bankave ka rënë nga 29.9% në vitin 2019 në 26.9% në vitin 2024, nivel që mbetet dukshëm nën mesataren rajonale prej 35.5%.

Megjithatë, OECD vlerëson si zhvillim pozitiv miratimin e ligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, i cili krijon bazën për ngritjen e një institucioni të përhershëm që mund të lehtësojë financimin afatgjatë të bizneseve. Raporti rekomandon gjithashtu forcimin e kuadrit ligjor për garantimin e kolateralit, krijimin e një byroje private të kredisë dhe zgjerimin e instrumenteve të qëndrueshme të mbështetjes financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat