Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2026, 11:11

Bizneset paguan 78 milionë lekë për ankesat në KPP - Prokurimet publike, bilanci financiar i pesë muajve

Nga Diamila Leka

Bizneset paguan 78 milionë lekë për ankesat në KPP -

Kur një biznes kundërshton një tender publik, ai duhet të paguajë një tarifë financiare si garanci për shqyrtimin e ankesës. Gjatë periudhës janar–maj 2026, nga këto tarifa janë arkëtuar rreth 77.9 milionë lekë. Arkëtimet më të larta janë regjistruar në muajin maj, me 23.6 milionë lekë, pasuar nga prilli me 18 milionë lekë. Niveli më i ulët ishte në mars, me rreth 10.8 milionë lekë.

Nga janari në maj, vlera mujore e garancive financiare është rritur me rreth 88%, duke treguar një përqendrim më të madh të arkëtimeve në dy muajt e fundit të periudhës. Në të njëjtën kohë, Komisioni i Prokurimit Publik ka kthyer ndaj operatorëve ekonomikë 58 milionë e 741 mijë lekë, pas përfundimit të shqyrtimit administrativ të ankesave.

Më shumë se gjysma e kësaj shume është kthyer vetëm gjatë muajit shkurt, kur rimbursimet arritën në mbi 32 milionë lekë. Në janar, kthimet ishin rreth 2.6 milionë lekë, ndërsa në maj rreth 6.3 milionë lekë. Nga shqyrtimi i procedurave kanë rezultuar gjithashtu 32 milionë e 6 mijë lekë tarifa financiare, të cilat duhet të derdhen në Buxhetin e Shtetit.

 Vlera më e lartë u regjistrua në shkurt, me 11.3 milionë lekë, ndërsa më e ulëta në mars, me rreth 3.7 milionë lekë. Të tria shumat nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ndarjen e të njëjtit fond. Ato lidhen me ankesa të paraqitura gjatë viteve 2025 dhe 2026, për të cilat vendimmarrja e Komisionit është dhënë gjatë vitit 2026. Të dhënat tregojnë një rritje të fortë të garancive të arkëtuara gjatë prillit dhe majit, ndërsa kthimet ndaj operatorëve ekonomikë dhe detyrimet për Buxhetin e Shtetit janë përqendruar kryesisht në muajin shkurt.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat