Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2025, 10:41

Biznes në Shqipëri? Lehtësohen procedurat - Ndryshon ligji/ Regjistrim online për investitorët e huaj dhe emigrantët

Nga Elisabeta Dosku

Biznes në Shqipëri? Lehtësohen procedurat - Ndryshon ligji/

Investitorët e huaj apo emigrantët shqiptarë në të gjithë botën që dëshirojnë të investojnë në atdhe,  tashmë do ta kenë më të lehtë ta bëjnë këtë vetëm përmes internetit.

Ndryshimet ligjore në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit, hedhur për konsultim publik, synojnë të zgjidhin ngërçet aktuale në klimën e biznesit në Shqipëri dhe ta bëjnë atë konkurruese në tregjet europiane.

Kështu, nëpërmjet ndryshimeve të propozuara, investitorët e huaj dhe diasporës do të jenë në gjendje të regjistrojnë një aktivitet biznesi në Shqipëri 100% online, pa qenë nevoja të udhëtojnë apo të ndjekin procedura burokratike shtesë.

Një shtetas i një vendi të BE-së, që dëshiron të hapë një degë apo shoqëri në vendin tonë, mund ta bëjë këtë në distancë duke përdorur ID-në e tij elektronike ose nënshkrimin digjital të lëshuar në vendin e origjinës, nëpërmjet sistemit të ri të njohur nga QKB.

Kjo shmang praktikën aktuale të prokurave dhe legalizimeve, duke sjellë kursim kohe dhe kostoje për investitorin si eleminimi i pagesave për përkthime apo notarizime, si dhe rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë për investime të huaja direkte.

Së dyti, lidhja e Regjistrit Tregtar me sistemin evropian BRIS do të sigurojë shkëmbimin automatik të të dhënave me regjistrat homologë në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kjo nënkupton se të dhënat bazë të shoqërive shqiptare (p.sh. emri, selia, statusi, administratorët, degët) do të jenë të aksesueshme falas nga publiku dhe autoritetet kudo në BE, përmes një platforme unike evropiane. Kjo rrit ndjeshëm transparencën dhe sigurinë e transaksioneve ndërkufitare, pasi palët e huaja mund të verifikojnë menjëherë gjendjen ligjore të një subjekti shqiptar, duke nxitur besimin në marrëdhëniet tregtare.

Projektligji sjell përfitime edhe brenda vendit. Bizneset vendase do të përfitojnë nga procedura më të thjeshta dhe më të shpejta regjistrimi, pa asnjë barrë financiare shtesë për ta. Regjistrimi elektronik do të kursejë kohë dhe do të reduktojë kontaktet fizike me sportelet, duke ulur burokracinë dhe mundësitë për praktika korruptive.

Në terma afatshkurtër, pritet një modernizim i shpejtë i shërbimeve të QKB-së dhe përshtatja institucionale me standardet evropiane. Brenda 1 viti nga miratimi, sistemi pritet të jetë funksional për regjistrimet online dhe i ndërlidhur me BRIS. Kjo do ta pozicionojë Shqipërinë ndër vendet me shërbime tregtare më inovative në rajon, duke përmirësuar indikatoret ndërkombëtarë për klimën e biznesit.

Në afatmesëm e afatgjatë, reforma mund të kontribuojë në rritjen e numrit të subjekteve të reja dhe në rritjen e investimeve të huaja. Në tërësi, efektet e projektligjit vlerësohen pozitive për ekonominë dhe shoqërinë, duke pasur parasysh se reforma rrit efikasitetin administrativ, nxit formalizimin dhe sjell praktikat më të mira evropiane në vendin tonë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat