Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 10:51

“BE-së i duhet Ballkani Perëndimor” - Rama: Transformim i thellë, Shqipëria synon anëtarësimin brenda dekadës

Nga Fabjona Pasho

“BE-së i duhet Ballkani Perëndimor” - Rama: Transformim i

Bashkimit Europian i duhet Ballkani Perëndimor. Është kjo deklarata e bërë nga Kryeministri Rama në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një forum i rëndësishëm që bashkon përfaqësues të politikës, biznesit dhe diplomacisë për të diskutuar zhvillimet ekonomike, gjeopolitike dhe sfidat e së ardhmes në Europë. 

“Korridoret energjetike që i duhen Europës kalojnë përmes gjeografisë sonë. Rrjetet digjitale që Europa dëshiron kërkojnë territorin tonë. Mineralet kritike që Europa befas i ka rizbuluar si strategjike, gjenden nën tokën tonë. Kina e kupton këtë. Rusia sigurisht që e kupton. Edhe Europa e kupton, por ndonjëherë e harron kur shkruan planet e veta.

Shqipëria ka hapur të tridhjetë e tre kapitujt negociues më shpejt se çdo vend kandidat në historinë e zgjerimit, po për të thënë të vërtetën siç është, jo sepse jemi më të mirët, po sepse nisëm shumë vonë dhe ishim të përgatitur.

Ne po përparojmë me vendosmëri të zjarrtë. Objektivi ynë është i qartë. T’i përmbyllim negociatat deri në vitin 2027, diçka që e kemi diskutuar e për të cilën kemi rënë dakord me Komisionin Europian. Të bëhemi anëtarë të plotë të Bashkimit Europian përpara fundit të kësaj dekade. Më lejoni të jem po aq i qartë. Për Shqipërinë, anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me hyrjen në një klub. Nuk ka të bëjë me marrjen e fondeve. Nuk ka të bëjë me marrjen e ornamenteve institucionale. Ka të bëjë me transformimin e shtetit tonë, institucioneve tona dhe mënyrës sonë të të menduarit dhe kryerjen e transformimit më të thellë demokratik në historinë tonë kombëtare, duke garantuar që, më në fund, njëherë në historinë tonë, jemi aty ku njerëzit duan të jenë, jo aty ku vendos historia të jemi”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek teknologjia, ku u shpreh se Shqipëria po bën një nga transformimet më të mëdha digjitale në Europë

“E ardhmja e Europës nuk do të vendoset vetëm nga gjeopolitika, ajo do të vendoset edhe nga novacioni. Gara e ardhshme e madhe mes kombeve nuk do të zhvillohet kryesisht përmes territorit, do të zhvillohet përmes inteligjencës. Inteligjencës artificiale. Infrastrukturës digjitale. Kërkimit shkencor. Sovranitetit teknologjik. Kapacitetit për të sjellë novacion më shpejt se konkurrentët. Inteligjenca artificiale nuk është thjesht një revolucion tjetër teknologjik.

Për herë të parë që nga Revolucioni Industrial, lidershipi teknologjik mund të përcaktojë jo vetëm kush bëhet më i pasur, por kush mbetet sovran. Është e qartë që Europa e kupton këtë, ndaj është gjithnjë e më e rëndësishme të flitet për sovranitet teknologjik, por sovraniteti kërkon shkallë dhe shkalla kërkon integrim.

Nga ana e saj, Shqipëria në shkallën saj modeste, po punon për një nga transformimet digjitale më ambicioze në Europë. Ne po rikonceptojmë administratën publike të përqendruar në teknologji. Kemi digjitalizuar 95% të shërbimeve publike. Ulja e burokracisë është kthyer në idenë tonë fikse.

Po shtrijmë inteligjencën artificiale në të gjithë qeverisjen. Jo sepse teknologjia është në modë, por sepse inovacioni është bërë rruga më e shkurtër nga periferia drejt qendrës. Një Shqipëri më e gjelbër, më digjitale dhe më novatore është e mirë jo vetëm për ne është e mirë për Europën”, theksoi Kreu I qeverisë.

Në fund, Rama paralajmëroi se sfida më e madhe e Europës mund të mos vijë nga një ushtri që kalon kufirin, por nga një “ortek gënjeshtrash”, siç e quan ai që pushton perceptimin, dobëson besimin dhe godet demokracinë nga brenda.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat