Shqipëria Postuar më 15 Gusht 2026, 10:46

78 milionë euro detyrime të prapambetura/ 6 mujori/Si ndahet borxhi ndaj qytetarëve dhe bizneseve

Nga Elisabeta Dosku

78 milionë euro detyrime të prapambetura/ 6 mujori/Si ndahet borxhi

Gjysma e parë e vitit 2026 është mbyllur me një stok detyrimesh të prapambetura ndaj qytetareve dhe bizneseve në vlerën e 7.8 miliardë lekëve apo afro 78 milionë eurove.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura nga rreth 6.9 miliardë lekë që rezultonte në Mars 2026, është rritur në 7.8 miliardë lekë në Qershor të 2026.

Në totalin e borxhit të akumuluar deri në Qershor 2026,  qeveria qendrore zë 3.3 miliardë lekë dhe ndërsa pushteti vendor zë afro 3.1 miliardë lekë. 1.4 miliardë lekë i përket detyrimeve për rimbursimin e TVSH-së.  Ajo që vihet re është rritja ka ndodhur në stokun e detyrimeve të qeverisë qendrore krahasuar me fundin e Marsit 2026,  ndërsa pushteti lokal ka qëndruar në të njëjtat vlera si në tremujorin e mëparshëm.

Sa i takon kategorisë së detyrimeve të prapambetura, një peshë të rëndësishme zënë ato për investime publike, duke qenë se përgjatë këtij viti ka pasur një numër të lartë kantieresh të hapura, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

Konkretisht, detyrimet për investime,  të cilat janë më të larta në pushtetin vendor, arrijnë vlerën totale prej rreth 2 miliardë lekëve.

Kategoria “të tjera” zë afro  2.2 miliardë lekë të totalit të detyrimeve nga afro 1 miliardë lekë që rezultuan në fund të Marsit.

Nga ana tjetër, stoku i detyrimeve për vendime gjyqësore për largime të padrejta nga puna apo ankimime të bizneseve arrin në 769 milionë lekë,  duke pësuar një rritje te lehtë në raport me fundin e tremujorit të parë.

Stoku i detyrimeve të prapambetura ka luhatje të vazhdueshme nga një tremujor në tjetrin në varësi të punëve publike të hapura, por angazhimi i qeverisë dhe detyrimi i pushtetit vendor është që të ndjekë një trend shlyerjeje deri në zerimin e plotë të tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat