Shqipëria Postuar më 14 Gusht 2026, 11:14

OSSH, mbi 9 mld lekë investime në rrjet gjatë 2026 - Pjesa më e madhe për TM/TU dhe nënstacionet, mbi 1.1 mld lekë për sistemet e matjes

Nga Ola Mitre

OSSH, mbi 9 mld lekë investime në rrjet gjatë 2026 - Pjesa

Mbi 9 mld lekë parashikohet të investohen gjatë këtij viti në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas planit të rishikuar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ndërhyrjet përfshijnë nënstacionet, linjat e tensionit të lartë dhe të mesëm, rrjetin TM/TU, sistemet e matjes, teknologjinë e monitorimit, si dhe pajisjet dhe makineritë.

Peshën më të madhe në plan e zënë ndërhyrjet në rrjetin TM/TU dhe kabinat elektrike, ku fondet e programuara për vitin 2026 arrijnë në rreth 2.46 mld lekë. Në këtë kategori përfshihen projekte në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Shkodër dhe zona të tjera të vendit.

Një tjetër zë i rëndësishëm janë nënstacionet, për të cilat plani i përditësuar parashikon 1.762 mld lekë gjatë vitit 2026. Projektet synojnë fuqizimin e kapaciteteve transformuese, rikonstruksionin e impianteve dhe krijimin e rezervave operacionale, me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit dhe reduktimin e ndërprerjeve.

Risi në planin e rishkuar është fakti se rreth 1.43 mld lekë janë programuar për makineri, pajisje dhe zëra mbështetës, një zë që në planin fillestar ishte zero lekë. 

Po ashtu, një fond i konsiderueshëm është orientuar edhe drejt matjes së energjisë, me rreth 1.116 mld lekë të planifikuara, nga zero fonde të planifikuara më herët.  Investimet përfshijnë matësa të rinj, sisteme inteligjente të matjes për konsumatorët fundorë, matjen e bilancit të energjisë në kabinat elektrike TM/TU, softëare dhe integrimin me platformën MDM. Sipas OSSH-së, këto ndërhyrje synojnë rritjen e saktësisë së matjes, identifikimin më të mirë të humbjeve dhe forcimin e kontrollit teknik.

Ndërkohë, për linjat e tensionit të lartë janë parashikuar rreth 757.2 mln lekë, ndërsa për linjat e tensionit të mesëm rreth 741.7 mln lekë.

Sipas OSSH-së, investimet e programuara synojnë rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit, uljen e mbingarkesave dhe humbjeve teknike, si dhe modernizimin gradual të rrjetit të shpërndarjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat