Analiza Postuar më 14 Gusht 2026, 11:14

Kafeja “zien” në Qershor/ Rekord historik i importeve si në sasi, ashtu edhe në vlerë

Nga Xhorxhina Deda

Kafeja “zien” në Qershor/ Rekord historik i importeve si

Importi i kafesë në Shqipëri ka shënuar një rekord të ri në qershor, si në sasi, ashtu edhe në vlerë. Të dhënat tregojnë se gjatë muajit u importuan 1.6 milionë kilogramë, ose rreth 1,605 tonë kafe, me një vlerë prej 920.4 milionë lekësh. Të dy treguesit janë më të lartët e regjistruar në serinë mujore që nis në vitin 2005.

Krahasuar me qershorin e vitit 2025, rritja e sasisë është veçanërisht e fortë. Një vit më parë ishin importuar rreth 809 mijë kilogramë, çka do të thotë se këtë qershor importet në sasi u rritën me 98.4%, ose pothuajse u dyfishuan. Në të njëjtën kohë, vlera u rrit me 54.9%, nga 594 milionë në 920.4 milionë lekë.

Rekordi i qershorit tejkalon ndjeshëm edhe kulmin e mëparshëm. Deri tani, sasia më e lartë mujore ishte regjistruar në tetor 2025, me rreth 1.33 milionë kilogramë. Qershori e kaloi këtë nivel me rreth 270 mijë kilogramë, ose 20.3%. Edhe për nga vlera, rekordi i mëparshëm i tetorit 2025 prej 863.4 milionë lekësh u tejkalua me rreth 6.6%.

Por rritja e fortë e sasisë nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm nga vlera. Vlera mesatare e importit për kilogram ra në 573.3 lekë në qershor, nga 733.9 lekë një vit më parë, një rënie prej rreth 21.9%. Kjo shpjegon edhe pse importet pothuajse u dyfishuan në peshë, ndërsa fatura u rrit me rreth 55%.

Rritja duket edhe në bilancin e gjashtëmujorit. Gjatë janar-qershorit 2026 u importuan rreth 5.81 milionë kilogramë kafe, 14.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë, importet arritën në 3.77 miliardë lekë, me një rritje prej 7.3% në bazë vjetore.

Italia ishte partneri kryesor për importin e kafesë në qershor, me një vlerë prej 368.3 milionë lekësh, ose rreth 40% të totalit. Pas saj renditen India me 230 milionë lekë, Brazili me 136.3 milionë dhe Vietnami me 102.6 milionë lekë. Vetëm këto katër vende përbënin rreth 91% të vlerës totale të importeve të kafesë gjatë muajit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat