Shqipëria Postuar më 1 Qershor 2026, 10:36

77,7 milionë lekë për rrugën “Selitë e Vjetër” - Bashkia Tiranë hap garën, parashikohet ndërhyrje e plotë infrastrukturore

Nga Ernilda Luzi

77,7 milionë lekë për rrugën “Selitë e

Bashkia Tiranë ka shpallur hapjen e garës për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugës “Selitë e Vjetër” në kryeqytet. Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i parashikuar për realizimin e këtij investimi është 77 milionë e 714 mijë lekë.

Referuar dokumentit, rruga “Selitë e Vjetër” ndodhet në mungesë të plotë të infrastrukturës rrugore. Segmenti ka një gjatësi prej rreth 1.1 kilometrash dhe gjerësi që varion nga 3 deri në 5 metra, ndërsa shtrihet në një terren kodrinor.

Gjithashtu theksohet se, ndërhyrja nuk do të kufizohet vetëm në asfaltimin e rrugës, por do të përfshijë një sërë punimesh infrastrukturore që synojnë transformimin e plotë të zones. Investimi është konceptuar për të krijuar standarde bashkëkohore të infrastrukturës urbane, duke përfshirë sistemimin e trupit të rrugës, ndërtimin e trotuareve, vendosjen e ndriçimit publik, si dhe ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.

Ndërkohë, gjatë fazës së hartimit të projekt-zbatimit u është kushtuar vëmendje e veçantë integrimit të të gjithë elementëve të nevojshëm të infrastrukturës. Qëllimi kryesor i ndërhyrjes është sistemimi i bllokut të banimit dhe krijimi i kushteve më të mira për komunitetin që jeton në këtë zonë, përmes një infrastrukture moderne dhe funksionale

Një nga ndërhyrjet kryesore do të jetë zgjerimi i trasesë së rrugës në një gjerësi mesatare prej rreth 5 metrash. Në kuadër të investimit, do të realizohen ndërhyrje në të gjitha shtresat rrugore, duke nisur nga nënbaza deri te shtresat asfaltike, për të garantuar qëndrueshmërinë e aksit. Gjithashtu, do të ndërtohet edhe rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, si dhe do të vendosen puseta dhe tuba shkarkimi për menaxhimin e ujërave sipërfaqësore.

Investimi do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës për banorët, përmes shtrimit të rrugës sipas standardeve dhe ndërtimit të infrastrukturës mbështetëse, theksohet në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat