Rajoni Postuar më 8 Dhjetor 2025, 10:32

Sfidat e emigrimit në Maqedoninë e Veriut - Një në tre studentë kërkon të largohet nga vendi

Nga Kristi Ceta

Sfidat e emigrimit në Maqedoninë e Veriut - Një në tre

Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta shohin emigrimin si prioritet. Sipas raportit të fundit, rreth një e treta e studentëve kërkojnë të largohen nga vendi, kryesisht për arsye ekonomike dhe kulturore.

Edhe pse Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) njoftoi disa ditë më parë se emigrimi në vendet e pasura është ulur me 20%, të rinjtë e Maqedonisë së Veriut vijojnë ta kenë prioritet. Një e treta e studentëve maqedonas emigron ose mendon që të emigrojë jashtë vendit. Këtë e konfirmon edhe hulumtimi i fundit i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëpunim me universitete të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

“Të gjithë po përballemi me një sfidë të përbashkët, nuk do të thotë se ne në Ballkan kemi më shumë problem me emigrimin dhe të tjerët jo. Numri i personave që dëshirojnë të largohen është shumë i lartë. Rreth 57 përqind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut janë shprehur se janë të interesuar për të emigruar”, thanë burime zyrtare të Universitetit.

Një prej faktorëve më të rëndësishëm mbetet ai ekonomik, ndërsa hulumtimi në vitet e fundit ka nxjerrë në pah edhe faktorin kulturor, si një nga arsyet përse të rinjtë dëshirojnë të ikin.

Kujtomë se, edhe të dhënat e Institutit për Hulumtime Politike, të publikuar në maj të këtij viti, treguan se një në tre persona mendon që të shpërngulet nga Maqedonia e Veriut. Sipas anketimeve, interes më të madh për t’u larguar kanë grupmoshat nga 30 deri në 50 vjeç.

Sfida më e madhe për të rinjtë e rajonit të Pollogut që duan të emigrojnë mbetet mosnjohja e gjuhës (87%) dhe mospërshtatja me sistemin e ri (58%). Ndërsa nostalgjia për shtëpinë prek pothuajse gjysmën e tyre. Romët dhe shqiptarët përballen me më shumë vështirësi gjuhësore, ndërsa maqedonasit shqetësohen për njohjen e diplomave. Megjithatë, të rinjtë vlerësojnë pozitivisht sistemin shëndetësor dhe transportin jashtë vendit. Për t’u kthyer, ata kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune, ndërsa shumica besojnë se qeveria duhet të jetë faktori kryesor në krijimin e kushteve për rikthimin e tyre.

Më shumë se 46 për qind e të rinjve në Maqedoni nuk besojnë se vendi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, sipas raportit të fundit. Vetëm 6.7 për qind besojnë se anëtarësimi mund të arrihet në pesë vitet e ardhshme, ndërsa 35.8 për qind presin që kjo të ndodhë në të ardhmen më të largët. Pengesat kryesore për integrimin, sipas të anketuarve, janë korrupsioni (84.6%), mosmarrëveshjet dypalëshe (61%) dhe besimi i ulët në institucione (60%).

 

Shqipëria 8 Dhjetor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë në vlera relativisht konstante në raport me javën që lamë pas duke mos shënuar lëvizje të ndjeshme të kuotës duke u......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat