Rajoni Postuar më 27 Tetor 2025, 09:22

Mali i Zi dhe Italia ndërlidhin rrjetet e energjisë - Palët nënshkruajnë marrëveshjen me vlerë 500 milionë euro

Nga Kristi Ceta

Mali i Zi dhe Italia ndërlidhin rrjetet e energjisë - Palët

Mali i Zi dhe Italia kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në Romë për lidhjen e tregut të energjisë elektrike. Ky partneritet hap gjithashtu rrugën për instalimin e kabllit të dytë të ndërlidhësit Monita, që kalon nën Detin Adriatik.

Ministrat e energjisë theksuan se lidhjet energjetike sjellin një të ardhme më të sigurt, furnizim më të qëndrueshëm dhe mundësi më të mëdha zhvillimi. Marrëveshja hap një kapitull të ri në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe forcon më tej pozicionin e Malit të Zi në hartën energjetike evropiane.

Në fazën e re të bashkëpunimit, Mali i Zi dhe Italia synojnë të lidhin tregjet e tyre të energjisë elektrike për një funksionim më të sigurt të sistemit, sipas njoftimit të ministrisë.

“Me këtë marrëveshje, Mali i Zi po konfirmon statusin e tij si partner i besueshëm dhe urë energjetike midis rajonit dhe Evropës. Ky është një hap i madh përpara, pasi na mundëson të vazhdimojmë ndërtimin e linjës së dytë të kabllit nënujor drejt Italisë. Energjia jonë e gjelbër dhe e pastër do të bëhet një produkt i dalluar për eksport, gjë që do të sjellë të ardhura të reja për kompanitë dhe konkurrencë më të madhe në tregun evropian,” njoftoi ministria.

Në tregun e energjisë elektrike të Malit të Zi marrin pjesë 29 kompani nga 13 vende. Që nga themelimi i tregut ditor në Bursën e Energjisë Malazeze në prill 2023, janë tregtuar rreth 900 GWh (gigavat-orë) energji elektrike, ndërsa vëllimi i përgjithshëm, duke përfshirë tregun afatgjatë, arrin rreth 3 TWh (teravat-orë), shtoi deklarata.

Zbatimi i memorandumit do të krijojë kushtet për të paktën trefishimin e vëllimit të tregtisë, si dhe do të japë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e sigurisë së furnizimit, sipas ministrisë.

Projekti ka një vlerë prej 500 milionë eurosh, ndërsa kablloja e dyfishtë do të mundësojë shkëmbimin e energjisë në të dy drejtimet njëkohësisht.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat