Rajoni Postuar më 26 Gusht 2025, 12:14

“E ardhmja e Serbisë, në BE” - Presidenti Vuçiç, i gatshëm për dialog me protestuesit

Nga Kristi Ceta

“E ardhmja e Serbisë, në BE” - Presidenti

Serbia dhe qeveria e saj mbeten të përkushtuara ndaj dialogut, pavarësisht refuzimit të protestuesve për të pranuar ofertat për debat publik apo zgjedhje të parakohshme, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. “Kjo nuk është hera e parë që bëj thirrje për një bisedë të hapur. Jam i gatshëm të diskutoj publikisht, sepse besoj se nuk ka asnjë alternativë përveç bisedës dhe dialogut,” shpjegoi ai.

Seria e protestave në mbarë Serbinë nisi si reagim ndaj aksidentit në qytetin verior Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku u shemb çatia e stacionit të trenit, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave. “Kjo situatë nuk është aspak e mirë për Serbinë, për të tërhequr investime të reja apo turistë,” tha lideri serb.

Pavarësisht akuzave për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë dhe dëmtimit të pronave, Vuçiç mbështeti trupat, duke thënë se ata kanë vepruar me qetësi, edhe përballë kërcënimeve të drejtpërdrejta nga protestuesit. “Reagimi i policisë serbe, krahasuar me efektivët e vendeve të mëdha të BE-së, është pothuajse i pakrahasueshëm,” shpjegoi presidenti.

“Por, duke lënë këtë mënjanë, sigurisht që ka korrupsion në vend, ashtu si kudo, dhe ne duhet ta luftojmë edhe më fort. Jam shumë i përkushtuar dhe i vendosur për ta udhëhequr këtë betejë,” shtoi ai.

Ndërkohë, Vuçiç ritheksoi se anëtarësimi i plotë i Serbisë në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti i tij kryesor. “Derisa të largohem nga ky post, Serbia do të mbetet e përkushtuar ndaj rrugës drejt BE-së, duke zbatuar reformat e nevojshme. Do të fitojmë shumë duke iu bashkuar bllokut. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë… por edhe stabilitetin afatgjatë, sigurinë dhe mbrojtjen,” tha ai.

I pyetur për presidentin rus Vladimir Putin, Vuçiç tha se marrëdhënia mes tyre mbetet miqësore dhe, sipas tij, lideri rus është i hapur për ta përfunduar luftën në Ukrainë me një marrëveshje paqeje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat