Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 12:11

Rimbursimi i TVSH, 130 milionë euro u kthehen bizneseve - 7 mujori/ Vetëm në Qershor u rimbursuan 43 milionë euro

Nga Elisabeta Dosku

Rimbursimi i TVSH, 130 milionë euro u kthehen bizneseve - 7 mujori/

Afro 130 milionë euro u janë kthyer mbrapsht bizneseve në vend në 7 muaj, në formën e TVSH të  paguar, përmes procedurës së rimbursimit.

E ndarë sipas muajve, vihet re një rritje progresive e rimbursimeve të bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe shifra më e lartë rezulton të jetë në muajin Qershor me afro 43 milionë euro, një shifër kjo disa herë me e madhe se muajt e tjerë të vitit, ku mesatarisht janë rimbursuar 15-18 milionë euro. 

Ndërsa po ta krahasojmë me janar-korrik  2024, rimbursimet kanë pësuar rënie me 17 milionë euro.

Ndërkohë që koha e kryerjes së këtij procesi po reduktohet gradualishte,  ku 80% e kërkesave janë miratuara pa kontroll.

Rimbursimi i TVSH-s për bizneset përgjatë vitit 2024,  përmes platformës dixhitale është bërë brenda mesatarisht 31 ditëve duke reduktuar kohën e pritjes dhe lehtësuar tatimpaguesit. Ndërsa deri në 2027 planifikohet që afati mesatar i rimbursimit të arrijë në 25 ditë.

Përgjatë vitit që lamë pas rimbursimet u mbyllën në shumën e 223 milionë eurove.

Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe fizikisht).

Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit. Kërkesa për rimbursim i nënshtrohet procedurës normale të rimbursimit duke iu nënshtruar analizës se riskut.  Rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës subjektet e konsideruar me risk zero. Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve ligjore, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat