Kosova Postuar më 10 Gusht 2026, 10:42

Zgjerohet aktiviteti kreditues në Kosovë - Stoku i huave arriti në 6.67 miliardë euro vitin e kaluar

Nga Dorian Koça

Zgjerohet aktiviteti kreditues në Kosovë - Stoku i huave arriti

Aktiviteti kreditues i sektorit bankar në Kosovë vazhdoi zgjerimin gjatë vitit 2025, por me ritëm më të ngadalshëm krahasuar me vitin paraardhës. Stoku i kredive arriti në 6.67 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 14.7%, krahasuar me 18.3% një vit më parë.

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ngadalësimi pasqyron kombinim të kërkesës lehtësisht më të ulët dhe ofertës më  të shtrënguar kreditore në një mjedis të karakterizuar nga moderimi i aktivitetit  ekonomik dhe kushte më të kujdesshme financimi.

Struktura e portofolit kreditor mbetet e dominuar nga korporatat jofinanciare, me  pjesëmarrje prej 56.9%, megjithëse vërehet rritje graduale e peshës së kredive për  ekonomitë familjare. Sipas BQK, kjo zhvendosje strukturore reflekton zgjerimin e vazhdueshëm të kreditimit për konsum dhe kredi hipotekare, duke rritur rëndësinë e këtij segmenti në portofolin kreditor të sektorit bankar. Në fund të vitit 2025, ekonomitë familjare kishin pjesëmarrje prej 41.9% për rreth 5 pikë përqindje më lartë se pesë vite më parë.

Kreditimi ndaj korporatave jofinanciare vazhdoi rritje dyshifrore gjatë vitit 2025,  megjithëse me ritëm më të ngadalësuar krahasuar me vitin paraprak. Ky trend reflekton moderimin e kredive të reja investuese, si dhe rënien e kredive të reja jo investuese. Stoku i kredive për korporatat jofinanciare arriti në 3.79 miliardë euro, që përkon me rritje vjetore 11.2%.

Në veçanti, kreditë e reja për investime shënuan rritje më të ulët krahasuar me vitin paraardhës, kryesisht si rezultat i ngadalësimit të financimit të investimeve në sektorin e shërbimeve edhe atë të industrisë, ndërsa kreditë jo-investuese vazhduan rënien, megjithëse me dinamikë më të zbutur, kryesisht të ndikuara nga tkurrja në sektorin e shërbimeve.

Sa i përket sektorëve të ekonomisë, vërehet një ngadalësim i rritjes së kreditimit në sektorët kryesorë si tregtia, prodhimi dhe shërbimet, ndërsa ndërtimi dhe bujqësia shënuan përshpejtim, megjithatë me ndikim të kufizuar në dinamikën e përgjithshme të portofolit për shkak të peshës së ulët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat