Europa Postuar më 6 Tetor 2025, 10:53

Kroacia “mbjell” 70 milionë euro për bujqësinë - Në fokus, zhvillimi i sektorit agro-ushqimor dhe mbështetja për fermerët

Nga Kristi Ceta

Kroacia “mbjell” 70 milionë euro për bujqësinë -

Kroacia ka hapur një tender me vlerë 70 milionë euro për projekte që lidhen me përpunimin e produkteve bujqësore, duke synuar forcimin e industrisë ushqimore vendase dhe mbështetjen e zonave rurale.

Nga shuma totale, 40 milionë euro janë parashikuar për investime në përpunimin e mishit, vezëve dhe qumështit, ndërsa 30 milionë euro janë planifikuar për projekte që lidhen me përpunimin e frutave, duke përfshirë ullinjtë dhe varietetet e rrushit, si dhe perimet, thuhet në një njoftim të publikuar nga Ministria e Bujqësisë.

Ky fond vjen në një kohë kur Kroacia po përpiqet të rrisë vetëprodhimin në sektorin agro-ushqimor, sidomos pas krizave të zinxhirit të furnizimit që dolën në pah gjatë pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

“Besoj se mbështetja që ofrohet përmes kësaj ndërhyrjeje do të mundësojë krijimin e vlerës së shtuar në bujqësi, si për prodhuesit primarë bujqësorë, ashtu edhe për ata që merren vetëm me përpunimin e produkteve bujqësore,” njoftuan burimet zyrtare.

Përpunimi lokal i produkteve bujqësore shihet si një hap kyç për zhvillimin ekonomik të zonave rurale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve kroate në tregjet ndërkombëtare.

Thirrja për tender është shpallur nga agjencia shtetërore për pagesat në bujqësi, peshkim dhe zhvillim rural, e cila në bashkëpunim me ministrinë zbaton masat e mbështetjes për fermerët, të financuara nga buxheti i shtetit dhe Bashkimi Evropian. Aplikimet për këtë thirrje mund të dorëzohen deri më 20 nëntor.

Programi gjithashtu synon të nxisë përdorimin e teknologjive moderne në përpunim dhe paketim, duke reduktuar mbetjet dhe duke shtuar cilësinë e produkteve për konsumatorët vendas dhe të huaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat