Europa Postuar më 6 Tetor 2025, 09:05

Greqia, qira pa taksa për 3 vjet - Çfarë do të thotë kjo për pronarët dhe kontratat afatgjata?

Nga Kristi Ceta

Greqia, qira pa taksa për 3 vjet - Çfarë do të thotë

Ministria greke e Financave po rishikon përjashtimin nga tatimi për pronarët e pasurive të paluajtshme, me qëllim që të rrisë disponueshmërinë e banesave në treg dhe të mbështesë familjet me tre ose më shumë fëmijë. Përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat për qiratë për një periudhë trevjeçare tashmë do të zgjerohet, duke përfshirë edhe banesat më të mëdha. Gjithashtu do të përfitojnë kategori të caktuara të punonjësve në sektorin publik, si mësuesit, mjekët dhe ushtarakët.

Ministria e Ekonomisë Kombëtare dhe Financave ka vendosur tre ndryshime kryesore në legjislacionin përkatës, me qëllim përmirësimin e këtij përjashtimi trevjeçar nga tatimi.

Së pari, kufiri prej 120 metrash katrorë për banesat që përfitojnë nga kjo skemë, do të rritet në rastet kur prona jepet me qira afatgjatë për një familje me tre fëmijë ose më të madhe. Kjo do të thotë se një pronar i një banese prej 140 metrash katrorë, nëse e jep me qira për një familje me shumë fëmijë, nuk do të paguajë taksë mbi të ardhurat që merr për tre vite.

Gjithashtu, u jepet një “shans i dytë” pronarëve që të mos humbasin të drejtën për përjashtim nga tatimi nëse qiramarrësi largohet përpara përfundimit të periudhës trevjeçare. Konkretisht, nëse qiramarrësi largohet më herët, pronari do të ketë në dispozicion një afat tremujor për të gjetur një klient të ri, pa e humbur të drejtën për përjashtim tatimor.

Së treti, do të krijohet një mundësi e re për qira afatshkurtra, kryesisht për mësuesit dhe punonjësit e tjerë shtetërorë. Një pronar që i jep me qira një pronë për një periudhë prej gjashtë muajsh një mësuesi, nuk do të humbasë të drejtën për përjashtimin nga tatimi.

Paralelisht me këto masa, në javët në vijim do të paraqitet në Parlament një projektligj mbi trashëgimitë, me synimin për të krijuar një listë të re pronash që mund të vihen në funksion të plotësimit të nevojave për strehim.

Lista e masave do të plotësohet edhe me një program të ri subvencionimi për rinovimin dhe përmirësimin energjetik të pasurive të paluajtshme. Ky program do të përfshijë jo vetëm pronat që do të përdoren për banim personal, por edhe ato që do të jepen me qira.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat