Bota Postuar më 24 Korrik 2026, 10:36

SHBA, tarifa të reja 10-12.5% për 60 vende - Masa justifikohet me mosrespektimin e standardeve ndërkombëtare të punës

Nga Lidion Kulla

SHBA, tarifa të reja 10-12.5% për 60 vende - Masa justifikohet me

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa, që variojnë nga 10% deri në 12.5%, për importin e mallrave nga 60 ekonomi anembanë botës, duke filluar nga dita e sotme. Shtëpia e Bardhë ka përdorur Seksionin 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, njoftoi Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA.

Masat e reja tregtare janë planifikuar të hyjnë në fuqi pikërisht kur tarifat e përkohshme prej 10% në mbarë botën skadojnë në orën 12:01 të premten. Administrata e Presidentit Donald Trump aplikoi këto taksa të përkohshme, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi iniciativat e tij më të gjera për tarifat, në shkurt të këtij viti.

Duke përdorur Seksionin 301, administrata po shfrytëzon një mekanizëm ligjor më të qëndrueshëm, që i lejon Trump të vendosë taksa importi dhe sanksione të tjera kundër vendeve që rezultojnë se angazhohen në praktika tregtare të konsideruara “të pajustifikuara, të paarsyeshme ose diskriminuese”, njoftoi Zyra e Tregtisë, duke i justifikuar taksat e fundit, si masa ndaj mos respektimit të standardeve ndërkombëtare të punës.

“Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar importin e punës së detyruar për gati një shekull dhe e zbatojnë atë me rigorozitet; ka ardhur koha që partnerët tanë tregtarë të bëjnë të njëjtën gjë”, citohet të ketë thënë Përfaqësuesi i Tregtisë së Shteteve të Bashkuara, Jamieson Greer. Sipas njoftimit, ekonomitë kryesore që nuk respektojnë standardet ndërkombëtare të punës janë: Argjentina, Kanadaja, India, Meksika, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera.

Për disa produkte që nuk përjashtohen nga masa, do të zbatohet një tarifë e ndryshueshme prej 10% deri në 12.5%, mbi normën e Kombit Më të Favorizuar, për importet nga ekonomi si Bashkimi Europian, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zvicra. Ndërkohë, për të gjitha ekonomitë e tjera që janë objekt i hetimit do të vendoset një tarifë doganore prej 12.5%.

Administrata Trump parashikon gjithashtu përjashtime për disa kategori produktesh, si ato që mund të shkaktojnë mungesa në furnizimin e tregut vendas ose të cenojnë funksionimin e ekonomisë. Përjashtim do të bëhet edhe për produktet që nuk mund të kultivohen ose prodhohen në Shtetet e Bashkuara, në sasi të mjaftueshme ose me çmime të arsyeshme.

Në muajin mars, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë nisi një hetim të veçantë nëse 16 vende, të cilat së bashku përbëjnë rreth 70% të importeve të SHBA-së, kanë mbiprodhuar mallra, duke ulur kështu çmimet globale dhe duke i vendosur kompanitë amerikane në një disavantazh konkurrues.

Europa 23 Korrik Dorian Koça

BE i vendos Google gjobë prej 890 milionë euro

Komisioni Evropian njoftoi të enjten një gjobë prej 890 milionë euro kundër Google për praktikat e dyshuara të vetëpreferencës dhe trajtimin e padrejtë të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat