Bota Postuar më 2 Shtator 2025, 11:14

Omani ofron viza të arta për të huajt/ Ul pragun e investimeve dhe garanton qëndrime afatgjata për sipërmarrësit

Nga Kristi Ceta

Omani ofron viza të arta për të huajt/ Ul pragun e investimeve

Omani ka nisur zyrtarisht një program për të favorizuar lejet e qëndrimit afatgjatë, me synimin për të tërhequr kapital të huaj dhe profesionistë të kualifikuar nga jashtë. Programi u ofron investitorëve dhe familjeve të tyre qëndrim 10-vjeçar dhe stabilitet, si pjesë e agjendës së reformave “Vision 2040”, që synon transformimin ekonomik të vendit.

Zyrtarët vendas kanë deklaruar se kjo nismë strategjike synon të nxisë rritjen e sektorit privat, të përshpejtojë krijimin e vendeve të reja të punës dhe të ndihmojë në transferimin e njohurive dhe përvojës ndërkombëtare në vend.

Në kuadër të programit, ata që investojnë të paktën 520,000 dollarë amerikanë do të kualifikohen për qëndrim të rinovueshëm 10-vjeçar, që do të përfshijë edhe bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit e shkallës së parë, pa kufizime për moshën apo numrin. Përfituesit do të kenë gjithashtu akses në shërbime të përshpejtuara në aeroporte, të drejtën për të punësuar deri në tre punëtorë shtëpiakë, si dhe mundësinë për të zotëruar një pronë jashtë komplekseve turistike të integruara.

Aplikimi për këtë qëndrim mund të bëhet përmes disa rrugëve të ndryshme, si krijimi i një kompanie me kapital dhe asete që tejkalojnë kufirin minimal të përcaktuar, blerja e pasurive të paluajtshme në zona turistike të autorizuara, investimi në obligacione zhvillimore të qeverisë me maturim së paku dy vjet, apo investimi në aksione të listuara me vlerë të barabartë ose më të madhe se 520,000 dollarë. Një tjetër mënyrë për të përmbushur kriteret është mbajtja e një depozite bankare fikse 5-vjeçare me këtë vlerë, si dhe zotërimi i një firme me të paktën 50 punëtorë omanezë. Për më tepër, aplikantët mund të nominohen nga kompani të huaja që operojnë në Oman dhe që kanë kapital të mjaftueshëm sipas Ligjit për Investime të Huaja.

Autoritetet omaneze theksojnë se programi është ndërtuar në mënyrë që fondet të orientohen drejt sektorëve strategjikë të ekonomisë dhe synohet forcimi i imazhit të vendit si një destinacion miqësor për investitorët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat