Bota Postuar më 29 Prill 2025, 13:39

Makinat kineze “shkelin gazin” - Modelet e reja dominojnë tregun vendas, Evropa pëson rënie të shitjeve

Nga Kristi Ceta

Makinat kineze “shkelin gazin” - Modelet e reja dominojnë

Gjithçka erdhi për shkak të pandemisë. Nëse para Covid vetëm 36% e kinezëve zgjidhnin makina nga markat kombëtare, në më pak se tre vjet ka ndodhur një revolucion që i zuri në befasi prodhuesit evropianë të makinave. Në fund të vitit 2023 BYD u bë marka më e shitur në Kinë, në dëm të grupit Volkswagen, që kishte siguruar një epërsi të konsoliduar dhe tani duhet të përballet me një rënie të fitimeve për vitin 2024. Krahasuar me vitin 2023, të ardhurat ranë nga 17.8 në 12.4 miliardë euro, kryesisht për shkak të rënies së shitjeve në Kinë, që vlente 8.3%.

Edhe markat luksoze evropiane kanë regjistruar humbje të konsiderueshme. Porsche dhe BMW kanë vënë re se shitjet e tyre në Kinë kanë rënë në vitin 2024 me 28% dhe 13.4% përkatësisht, në raport me vitin e kaluar. Mercedes gjithashtu është përballur me një tkurrje prej 8.3%. Pa përmendur rivalët japonezë si Toyota dhe Honda, që janë pothuajse në të njëjtat kushte si evropianët. Një krizë shitjesh që, megjithatë, shqetëson vetëm markat e huaja, duke qenë se në Kinë tregu i makinave ka regjistruar shifra rekord në dy vitet e fundit.

Ndryshimi në perceptimin e blerësve kinezë mund të shpjegohet nga prodhuesit vendas, të cilët janë gjithnjë e më të aftë të ofrojnë modele konkurruese. Nuk është rastësi që markat e konsoliduara si Volkswagen dhe Audi kanë vendosur të ofrojnë makina të projektuara ekskluzivisht për në Kinë dhe të destinuara për konsumatorët vendas, duke sfiduar në territorin e tyre modele gjithnjë e më konkurruese jo vetëm në aspektin e çmimit të blerjes, por edhe me një ofertë në sektorin premium që ofron opsione të avancuara.

Një sfidë që po përsëritet edhe në eksportet, që janë vazhdimisht në rritje. Një risi që nuk vë në dyshim udhëheqjen e markave evropiane në nivel kombëtar për momentin, por që përfaqëson një problem të mëtejshëm në të ardhmen. Ndërkohë, në krye të 10 markave më të mira të eksportit është Chery me 1.144 milionë njësi të eksportuara, e ndjekur nga Saic me 929 mijë, BYD me 433 mijë, Baic me 274 mijë, Tesla me 260 mijë, Jac me 249 mijë dhe Dongfeng me 246 mijë. Ndërsa renditja për rritjen më të madhe e pa BYD në krye me +71.8%, Changan me +49.6% dhe Jac me +46.7%. Në të njëjtën kohë, Kina është bërë një “litar shpëtimi” për shumë marka të huaja, në një kohë kur, për shembull, tregjet e makinave evropiane dhe amerikane nuk po rriten më. Midis viteve 2013 dhe 2023, vëllimi i përgjithshëm i regjistrimeve në Evropë u rrit vetëm me 4%. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada mbeti i pandryshuar me 17.3 milionë makina të shitura. Në Kinë, nga ana tjetër, shitjet e makinave të reja u rritën me më shumë se 25% në përgjithësi në të njëjtën periudhë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat