Shqipëria Postuar më 29 Prill 2025, 13:02

Kredia për ekonominë arrin në 864 mld lekë - BSH: Bizneset kontribuan më tepër në rritjen e stokut

Nga Ledina Elezi

Kredia për ekonominë arrin në 864 mld lekë - BSH: Bizneset

Kredia për ekonominë ka vijuar të rritet me ritme të shpejta edhe në 3 muajt e parë të 2025. Sipas shifrave të sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë, kredia për ekonominë arriti në 864 miliardë lekë në muajin mars, një rritje kjo me 2% në krahasim me shkurtin dhe 13% në krahasim me marsin e vitit të kaluar.

Ndikimin më të madh në këtë rritje e ka dhënë kredia e marrë nga bizneset. Të dhënat zyrtare tregojnë se kredia e bizneseve private ka pësuar një rritje me 2.5% në mars, duke kapur kështu një vlerë prej 488 miliardë lekësh. Në rastin e bizneseve mbizotëron kredia në valutë me 264 miliardë, ndaj kredisë në lekë prej 223 miliardësh. Edhe në terma të rritjes në krahasim me shkurtin ose në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kredia në valutë është ajo që ka pasur rritjen më të madhe.

Po për sa i përket kredisë së dhënë ndaj sektorëve të tjerë?

Kredia e qeverisë lokale dhe administratës publike rezulton të jetë vetëm në lekë. Muajin e kaluar, ajo ka zbritur nga 21 në 19 milionë lekë.

Ndërkohë, kredia për korporatat jofinanciare publike, e cila i referohet kredisë së marrë nga ndërmarrjet në pronësi të shtetit, si për shembull OSHEE, UKT dhe të tjera, ka pësuar një rritje me gati 2.9% në mars. Bazuar në statistikat e Bankës Qendrore, kredia në valutë për korporatat jofinanciare publike ka rënë në 9.5 miliardë lekë, nga 11.5 miliardë që ishte, ndërsa kredia në lekë është rritur në 9.2 miliardë, shumë pranë barazimit të njëra-tjetrës.

Për sa i takon kredisë së sektorëve të tjerë rezidentë, që përfshijnë kredinë e marrë nga individët, por jo vetëm, ajo rezulton të jetë rritur me 1.5% në krahasim me shkurtin. Konkretisht, kredia për sektorët e tjerë rezidentë ka arritur në 336 miliardë lekë. Në ndryshim nga bizneset, kredia nga sektorët e tjerë rezidentë është marrë më tepër në lekë sesa në monedhë të huaj.

Nga ana tjetër, kredia për korporatat e tjera financiare ka rënë në 20 miliardë lekë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat